Komunikimi

Të gjithë e nisim ditën me një mërmërimë të nëpërdhëmbshme,”mirëmëngjes”.
Shkujdesur,kushedi sa herë përsërisim si një aliteracion monoton :”mirëmëngjes,mirëmëngjes,mirëmëngjes…

Menjëherë po sa hapim sytë,menjëherë pasi kemi braktisur dhomën e gjumit,menjëherë pasi kemi veshur këpucët e kemi dalë në rrugë (duam ose jo)!

Sepse,menjëherë në rrugicën e parë që futesh pashmangshëm do të takosh ndonjë mik.
“Mirëmëngjes”,të përshëndet ai,”mirëmngjes” i nëpërdhëmb ti.Pastaj pak më tutje një mik tjetër,pastaj një tjetër,pas atij tjetrit një tjetër dhe kështu kaq e kaq herë.
“Nuk mund të mos komunikosh” thotë Paul Watzlawich,gjithmonë i jemi të prirur komunkimit,në një mënyrë apo në tjetrën.

Komunikimi është një nevojë e domosdoshme e shoqërisë.Të gjithë kemi nevojë të flasim me të tjerët,të shkëmbejmë mendime dhe ide,të pleqërojmë situata,të hapim çështjet në tavolinë e t’i shqyrtojmë,të ngrejmë zërin në situata të palakmueshme apo të përgëzojmë në të tjera situata.

Si do shkonin gjërat nëse kurrë s’do thonim çfarë ndjejmë,çfarë mendojmë?
Si do shkonin gjërat nëse s’do i themi kurrë askujt që e duam,që është gabim apo që ka të drejtë?
Po jeta si mund të ish pa komunikimin?
Si mund të ish kur fjalët,mendimet,ndjenjat dhe idetë nuk do të shpreheshin?
Komunikimi është ura lidhëse që ndërmerr bashkëveprim mes shoqërisë njerëzore,mirëkuptim,qartësi dhe vijueshmëri të raporteve.

Shpesh në shoqëri,preferohet të përjashtohet “biseda”,jemi të prirur gjithmonë të lëmë gjithçka në paqartësi,pasaktësi,e privojmë veten nga e drejta e njohjes të së vërtetës dhe lëmë gjithçka rrënojë,pa qarë kokën për të rindërtuar murin e rënë.Shpesh,për të mos thënë gjithmonë,jemi të prirur për debat,i lëmë gjërat ashtu siç i katandisim,pa kërkuar fajin tek vetja sepse çuditërisht fajin e kanë të tjerët gjithmonë.
Janë tre arsye bazë që ndikojnë në prishjen e raporteve mes individëve:
*konfrontim idesh
*vetëbesim i tepruar
*mungesa e dëshirës për të dëgjuar.

Jemi gjithmonë në komunikim e sipër,vazhdimisht akceptojmë dhe shpërndajmë informacione,mendime e ide dhe nisur nga kjo konfrontimi me të tjerët është i pashmangshëm.Eshtë e qartë që të tjerët nuk janë modeluar si ne dhe nuk është e logjikës të mendojnë si ne,të pëlqejnë çfarë pëlqejmë ne e të analizojnë po si ne,prandaj,shpesh 
përballemi me ide dhe botëkuptime të tjera që për ne mbase janë absurde dhe paradoksale.
Vetëbesimi i tepruar është njëri ndër shkaqet që shpie në prishjen e raporteve,sa i përket aspekteve të caktuara.Shpesh jemi shumë të sigurtë në atë që themi dhe s’pranojmë të dëgjojmë argumetet e palës tjetër të cilat mund të jenë më të sakta se tonat.Gjërat shpesh i shohim ashtu siç ne duam dhe jo siç janë në të vërtetë.

Mungesa e dëshirës për të dëgjuar të tjerët-ne jemi të shurdhër,ne nuk dëgjojmë.Jemi komikë apo jo?

Ne gjithmonë duam të flasim,edhe atëherë kur nuk kemi shumë për të thënë,s’ngurojmë të flasim edhe atëherë kur nuk kemi kompetenca.Ne flasim sepse kemi nevojë të na dëgjojnë,flasim sepse nuk dimë të heshtim.
Unë,ti,ato dhe gjithë të tjerët kemi kaq shumë për të folur,flasim kaq shumë,por vallë kush na dëgjon?

Të gjithë jemi të zënë me llafazaninë tonë dhe harrojmë të heshtim një çast e të hapim veshët.
Patjetër edhe të tjerët do kenë diçka për të thënë.Nëse nuk dëgjojmë opinionet e tyre,nëse nuk mundohemi të kuptojmë të tjerët raportet do të përfundojnë në humnerë.Por,në të vërtetë a është ajo cfarë ne duam?
Ne me ngulm po kërkojmë të braktisim të tjerët duke mos bërë përpjekje për t’i kuptuar,për t’i arsyetuar dhe nga ana tjetër jemi të tmerruar nga ideja se mos ndoshta ngelim vetëm.Sa paradoksale !

Komunikimi është formula e zgjedhjes së të gjitha keqkuptimeve,vijueshmërisë së raporteve dhe njohjes së natyrës njerëzore.Prandaj gjatë komunikimit do duhet të mirëpresim idetë e të tjerëve,t’i analizojmë paralel me tonat,të përgjysmojmë besimin e verbër nga vetvetja dhe të dëgjojmë më shumë.

Lajme të ngjashme

Back to top button