Kur e vërteta shkrihet ndërmjet “mbushjes dhe oblandës”
Spini zakonisht definohet si formë e propagandës, që bëhet nëpërmjet interpretimit të tillë të një ngjarjeje ose fushate, që ka për qëllim ta bindë opinionin publik në favor ose kundër ndonjë organizate apo personi publik. Personat që merren me marrëdhëniet me publikun thonë se dallimi ndërmjet PR-it dhe “spin”-it qëndron në dy detaje të vogla, mirëpo shumë të rëndësishme. PR-i bazohet në afirmim dhe fakte, ndërsa spini në manipulim dhe truke.
Shkruan: Оlivera Vojnovska
Sa herë kemi i dëgjuar replikat: “Lexova në gazeta” ose “E pashë në televizion”! Ai që i thotë nuk le pothuajse asnjë hapësirë për rezervë në vërtetësinë e informatës bombastike që tashmë e shqetëson publikun. Orteku është nisur, nuk ka kthim! Te lexuesit ose shikuesit është krijuar një perceptim i tillë që pa dëshmmi mund të “gjykohet viktima”! Ka edhe raste të kundërta, me metodat e njëjta krijohet pasqyrë në të cilën prej humbësit bëhet heroji! Thënë ndryshe, me teknika manipuluese dhe me prezantim të qëllimshëm mund të maskohet natyra e vërtetë e secilës informatë. Në publik shumë shpesh përmendet termi “spin”, i cili në politikë është marrë nga sporti i popullarizuar anglez “kriket” – nënkupton teknikë të veçantë me të cilën tentohet të ndryshohet drejtimi i topthit, që të mashtrohet kundërshtari.
Mirëpo, çka në fakt është “spin”-i?
Kuptimi themelor i kësaj fjale angleze është rrotullim. Termi është paraqitur në fizikën kuantike (mekanikë), e pastaj është përdorur edhe në sferat e tjera, duke e përfshirë edhe politikën. Në fakt spini është truk me të cilin e vërteta nuk shndërrohet në gënjeshtër, por faktet aq shumë rrotullohen sa që ka mundësi edhe pa thënë ndonjë gënjeshtër të paraqiten në dritë tjetër nga e vërteta e mirëfilltë. Spinimi në kuptim esencial do të thotë “shtrembërim” i tregimit me të cilin publiku do të kthehet në atë anë në interesin e të cilës plasohet informata.
Spini zakonisht dеfinohet si formë e propagandës, që bëhet nëpërmjet interpretimit të tillë të një ngjarjeje ose fushate, që ka për qëllim ta bindë opinionin publik në favor ose kundër ndonjë organizate apo personi publik. Personat që merren me marrëdhëniet me publikun thonë se dallimi ndërmjet PR-it dhe “spin”-it qëndron në dy detaje të vogla, mirëpo shumë të rëndësishme. PR-i bazohet në afirmim dhe fakte, ndërsa spini në manipulim dhe truke.
Teknika të njohura të spinit janë: paraqitja selektive e të dhënave, dhënia e deklaratave të menduara mirë (nga burime “të besueshme”) në të cilat diçka thuhet, pastaj demantohet, pastaj përsëri pohohet, përdorimi i еufemizmave që të shëmtohet ose të zbukurohet qëndrimi i dikujt, fshehja e lajmeve të këqija, njoftimi i publikut për ndonjë lajm shumë të popullarizuar dhe pozitiv që është pritur një kohë të gjatë, mirëpo duke i përmendur në të njëjtën kohë edhe lajmet e këqija – duke shpresuar se mediet do të fokusohen në lajmin e popullarizuar.
Njerëzit që merren me këtë shkathtësi elegante për manipulim me publikun quhen “spin doktorë”. Janë të pashmangshëm në rrethin e përditshëm të politikanëve, si dhe të njerëzve që kanë kontakte të vazhdueshme me publikun.
Edward L. Bernays (22 nëntor 1891 – 9 mars 1995), i cili konsiderohet baba i spinit, teknikat propaganduese të të cilit në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar ndihmuan në promovimin e produkteve të duhanit dhe të industrisë së alkoolit. Në njërin nga librat e tij, “Propaganda” (1928) ai thotë se manipulimi me mendimin publik është pjesë e domosdoshme e demokracisë.
Bernays, i cili, përndryshe, ka qenë nën ndikim të fuqishëm të asaj që e ka kuptuar nga teknika psikologjike dhe psikanalizat e burrit të hallës së tij, Sigmund Frojd, shkruan se:
“Në qoftë se i kuptojmë mekanizmat dhe motivet e të menduarit grupor, ka mundësi të kontrollohen dhe të orientohen masat sipas dëshirës sonë, pa e ditur ata këtë.”
“Vetëdija dhe manipulimi inteligjent me shprehitë e organizuara dhe mendimin e masave është element i rëndësishëm i shoqërive demokratike.”
“Ata që manipulojnë me këto mekanzima të fshehura shoqërore përbëjnë një pushtet të padukshëm i cili është i vetmi që ka fuqi të vërtetë mbi vendin tonë.”
“Në pothuajse çdo veprim nga jeta jonë e përditshme, qoftë kjo në sferën e politikës apo të biznesit, ose të angazhimit tonë social ose etikës, me ne dominon ndikimi i një numri të vogël njerëzish që i kuptojnë proceset mendore dhe shabllonet shoqërore të sjelljes së msave. Ata janë njerëzit që i tërheqin pejtë dhe e kontrollojnë mendimin e masave.”
Më vonë, Bernays, në veprat e tjera të tij, i përshkruan teknikat për kontroll të masave dhe për këtë qëllim e promovon shprehjen “inxhinjering i pëlqimit”.
Informata të frizuara
Në opinionin e Maqedonisë, veçanërisht në atë politik, ky termi u fut gjatë viteve të fundit. Spinimi u bë përditshmëri në gazetarinë tonë, e cila u ngarkua me informata “të frizuara”. Jemi dëshmitarë të artikujve të shumtë në të cilët e vërteta shkrihet ndërmjet “mbushjes dhe oblandave”. Një pjesë e tyre janë temë edhe e recensioneve të Shërbimit për verifikimin e fakteve në medie. Ka tekste, si për shembull ky, kur me një spin tipik politik lexuesve u ofrohet një tregim për gjoja përçarjen në bllokun opozitar. Në fakt, nga informata se organet e PLD-së akoma nuk kanë sjellë vendim për kthimin e mandateve të deputetëve (bëhet fjalë për periudhën e majit të vitit 2014), bëhet konstruksion se “Zhernovski ia kthen shpinën Zaevit”. Edhe pse nga deklarata që është cituar në artikull nuk mund të nxirret një përfundim i tillë.
Ndërsa lajmi, “FMN-ja me parashikime më të larta për ekonominë e Maqedonisë”, me një qasje selektive i paraqet vetëm të dhënat pozitive nga Raporti i Fondit monetar ndërkombëtar. Kështu, duke dashur ta lavdërojë qeverinë, parashikimi i FMN-së për rritjen e PBB-së për 0,2 për qind në krahasim me analizën paraprake, qëllimisht lexohet si “përforcim” i ekonomisë së Maqedonisë. Mirëpo, askund në lajm nuk përmenden informacionet e rëndësishme se FMN-ja vlerëson se në vend edhe më tutje do të rritet borxhi i qeverisë, ndërsa papunësia do të zvogëlohet shumë ngadalë. Që ofron një pasqyrë krejtësisht tjetër të gjendjeve.
Jo rrallë në medie mund të lexohen artikuj njollosës, ku vendoset lidhje ndërmjet njerëzve, sendeve dhe ngjarjeve, të cilët/at realisht nuk kanë asnjë lidhje ndërmjet tyre. I tillë është teksti: “Zhernovski bënte tifo me fanelë me ngjyrat e Greqisë”, ku atmosfera e tifozëve nga një ndeshje sportive është shfrytëzuar për sulm politik mbi politikanin opozitar. Ai është paraqitur si “tradhtar”, vetëm për shkak se ka qenë i veshur me një fanelë me ngjyrat e fanelës së ekipit kombëtar të Greqisë!
Ka edhe shumë shembuj të tjerë ku me një prezantim të shkathtë manipulues të informacionit maskohet qëllimi i vërtetë i asaj që është thënë. Kështu, fjalët e thëna nxirren nga konteksti, vendosen në konotacion negativ dhe qëllimisht shfrytëzohen si armë me të cilën dëmtohet kundërshtari politik. Siç është rasti meаrtikullin “Pendarovski përsëri me ofendim për qytetarër – për të ata janë të korruptuar”, ku është shfrytëzuar një fragment pre 28 sekondash nga paraqitja e tij në një tribunë, ku ai flet për korrupsionin zgjedhor.
“Praktikisht, vullneti i një mase të qytetarëve u kidnapua në mënyrë sistematike, korrupsioni zgjedhor kishte marrë përmasa tmerruese, vlerësimi që e bëra unë me shtabin tim zgjedhor tregon se në zgjedhjet e fundit të dyfishta korrupsioni zgjedhor ka qenë rreth 30% në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale dhe për rreth 50% më shumë se në vitin 2011.”
Pastaj, nga kjo deklaratë mе interpretim tendencioz thuret tregim se Pendarovski, gjoja, i ka quajtur qytetarët të korruptuar.
Pa dyshim se “spini” është vegël e fuqishme me të cilën shtrembërohet e vërteta dhe opinioni orientohet në drejtimin e dëshiruar. Është mekanizëm i padukshëm, i sofistikuar me të cilin dirigjohet informacioni në rrugën prej qendrave politike dhe afariste drejt publikut, që t’i madhërojë ata që mendojnë njësoj, apo t’i satanizojë kundërshtarët.
E kur fillon të rrotullohet “topi”, pothuajse askush nuk i kërkon, e as që i sheh faktet. Ndërsa e vërteta, ajo më nuk është kategori universale dhe morale. E vërteta – nuk është e vërtetë! Dhe gjithë atë që e keni dëgjuar me veshët tuaj, ose që e keni parë me sytë tuaj, nuk vlen. E vërteta është ajo që dikush (më shpesh apologjetët e pushetit) do ta interpretojë me interpretimin e dëshiruar, e jo me domethënien e drejtë dhe të saktë. E vërteta shndërrohet në mashtrim të fabrikuar, ose thënë me fjalorin e zhargonit, në mashtrim të ngjyrosur, të lustruar dhe të paketuar mirë, të cilin publiku do ta “gëlltisë” të shërbyer në tabakë. Për fat të keq, me ndihmën e medieve.