Valdano: Kësaj Barcelone po i vjen fundi

Ish sulmuesi i Realit të Madridit, Jorge Valdano, i cili në të shkuarën ka punuar si trajner dhe drejtor sportiv i Los Blancos mendon se dominimit të Barcelonës në La Liga po i vjen fundi, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Ancelotti është vazhdimisht duke ngjitur shkallët, pra po përmirësohet.

Në 5 sezonet e fundit në Spanjë, blaugranat e kanë fituar 4 herë titullin, ndërsa për momentin ndodhen 4 pikë prapa rivalëve të përjetshëm, me të cilët do të kenë përballje direkte në El Clasicon e të Dielës. Për këtë super ndeshje, Valdano mendon se madrilenët janë pretendentët kryesorë për të triumfuar.

“Për herë të parë pas shumë kohësh, Realin e shikoj si favorit në përballjen me Barcelonën. Los Blancos janë në rritje, ndërkohë që kam një ndjesi se blaugranave po u vjen fundi i këtij cikli”.

Për ish sulmuesin e Realit, edhe pse Martino ka në dispozicion një grup fantastik lojtarësh, është vështirë të parashikohet që ekipi në të ardhmen të ketë sërish talente të jashtëzakonshme si Messi, Xavi e Iniesta.

“Ky klub ka patur një gjeneratë lojtarësh të mrekullueshëm, por kjo vështirë se mund të përsëritet. Për Neymar mund të them se është i ri dhe i talentuar, por i rrethuar nga polemika të shumta që kanë përfshirë edhe familjen e tij. Në këto kushte nuk e shikoj të ndihet rehat, pa përmendur edhe komplikimet që vijnë si pasojë e faktit që luan përkrah Messit”.

Lajme të ngjashme

Back to top button