Apel intelektual deri te Partitë politike shqiptare në Maqedoni!

Duke u nisur nga situata më e re shoqërore-politike në Republikën e Maqedonisë, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare, është e qartë se formimi i Qeverisë së re akoma gjendet në udhëkryq. Në këto konstelacione politike të reja, Partitë politike shqiptare gjenden para një përgjegjësie të madhe historike, sepse si asnjëherë më parë, kanë mundësi ta kushtëzojnë formimin e Qeverisë së re me plotësimin e kërkesave të njohura shqiptare për barazi sociale, ekonomike e politike.

Për këtë arsye, i nxitur nga ndërgjegja intelektuale, morale dhe kombëtare, apelojmë fuqishëm deri te katër subjektet politike që fituan mandate në Parlamentin e Maqedonisë (BDI, Besa, Aleanca për shqiptarët dhe PDSH), të bashkohen si vëllezër dhe të fillojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re me LSDM-në, jo pse kjo Parti maqedonase është shqiptarofile, por thjeshtë sepse ka premtuar publikisht ndryshimin e pozitës së shqiptarëve dhe se angazhohet për diskualifikimin e pushtetarëve të kriminalizuar nga skena politike. Nisur nga këto premisa, konsideroj se kësaj here duhet t’i jepet shansë Zaevit, jo pse është mik i madh i shqiptarëve, por sepse para tërë botës deklaroi se është për Qeveri ku gjuha shqipe do të bëhet zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë. Përveç kësaj, ky unifikim i faktorit politik shqiptar do të mundësojë rrënimin e regjimit antishqiptar të deritanishëm, paralizimin e shovenizmit të VMRO-së dhe krijimin e një klime të re liberal-demokratike, ku shqiptarët do të faktorizohen, duke kontribuar në ndërtimin e lumturisë së gjithë qytetarëve të Maqedonisë multinacionale.

Prandaj, duke e kujtuar kredon e fuqishme të Pashko Vasës ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’, në emër të gjithë shqiptarëve që mendojnë si Unë, ju bëjmë apel Juve, përfaqësuesve të Partive politike shqiptare, të veproni në atë frymë atdhetare, duke e kundërshtuar të keqen dhe krimin, e duke i dhënë shansë shpresës për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

Mos harroni se moment më të volitshme për negocime të tilla politike, (për pazarllëqe partiake që do të shkonin në favor të popullit shqiptar), vështirë se do të ketë ndonjëherë tjetër, sepse ky pat-pozicion politik ku forcat politike maqedonase janë thuajse fifty-fifty, faktorin politik shqiptar e bënë determinues për Shtetin e Maqedonisë. Ndërkaq pikërisht ky moment i varësisë jetike të bllokut politik maqedonas nga Partitë politike shqiptare, këtyre të fundit ju jep një shansë të mrekullueshme për ndryshimin radikal dhe pozitiv të të ardhmes së shqiptarëve të Maqedonisë.

Prandaj, ju lutemi, bëhuni bashkë, harroni sedrat dhe inatet e dikurshme, tregoni të tjerëve se për çështje kombëtare dini të bëheni grusht i fuqishëm. Shkoni dhe bisedoni duke dëshmuar se Ju (si përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë), jeni substanca pa të cilën s’bëhet dot Qeveria, s’funksionon dot Shteti i Maqedonisë. Është momenti historik për kthesën e madhe, për jetë të re në Republikën e Maqedonisë, ku shqiptarët përfundimisht do të mund të jetojnë të barabartë, krenar dhe të lumtur, mu sikur pjesa tjetër e botës së civilizuar dhe demokratike. Bëheni këte për veten tuaj, bëheni këte për gjeneratat e reja, bëheni këte për Popullin shqiptar, sepse ai që e nderon Popullin, mbetet gjithmonë i nderuar!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button