Thaçi: Përfitimi nga politika ditore ka devijuar tërësisht rrugën e integrimeve

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi sot në selinë qendrore të partisë priti në takim Ambasadoren e Gjermanisë në vend, Gudrun Steinaker dhe këshilltarin e saj.

Në qendër të bisedës ishte situata aktuale politike, zgjedhjet e shpallura si dhe zhbllokimi i procesit integrues dhe tema të tjera me karakter politik.

Zonja Shtajnaker, potencoi qëndrimin e Gjermanisë dhe gjithë Unioni Evropian për të ndjekur, mbikëqyrur dhe  përkrahur të gjitha proceset politike në vend, në veçanti këtë cikël të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni. Në anën tjetër Thaçi e siguroi, Steinaker se PDSH do të jetë pjesë e procesit demokratik dhe pjesë e një procesi të drejtë zgjedhor.

Sa i përket çështjes së zhbllokimit të procesit integrues  dhe zgjedhjes së çështjes së emrit Steinaker theksoi që Gjermania, është e interesuar që Maqedonia të ecë përpara. Me rastin e zgjidhjes së emrit dhe caktimit të datës për anëtarësim, Maqedonia do të kishte përkrahjen financiare të Unionit Evropian me qëllim të ngritjes së standardit jetësor dhe zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst Ambasadorja theksoi kontributin të cilin shqiptarët do mund ta jepnin në zhbllokimin e procesit integrues, me theks të veçantë në zgjedhjen e çështjes së emrit.

Thaçi theksoi se dështimet e një pas njëshme janë treguesi më i mirë i mungesës së qasjes serioze të atyre që drejtojnë resorët e integrimeve evropiane. Prirja e tyre për përfitim nga politika ditore kanë devijuar tërësisht rrugën e integrimeve euro-atlantike të vendit. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal në këtë drejtim dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në të gjitha aspektet në të ardhmen, në favor të mbarëvajtjes së të gjithave proceseve politike në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button