Përplasje ndërmjet përfaqësuesve të serbëve në veri

Përfaqësuesit politik të serbëve në institucionet e Kosovës, por edhe ata të institucioneve paralele serbe në veri, e kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, se po bën politikë anti-serbe, transmeton REL.

Në një komunikatë të nënshkruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, Ljubomir Mariq, kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, si dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturave “vetëqeverisje lokale”, Zoran Todiq, Ivan Todosijeviq, Stevan Vuloviq, Aleksandar Spiriq dhe Vuçian Jankoviq, është thënë se detyra e Jablanoviqit është “që të shkatërrojë unitetin e popullit serb në veri të Kosovës”.

Reagimi i përfaqësuesve serbë ndaj kryetarit të Leposaviqit, Jabllanoviq, erdhi pas vizitës që kryeministri Isa Mustafa, e bëri në pjesën veriore të Kosovës, të realizuar me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, në Kosovë.

Në komunikatën e përfaqësuesve serbë, që u është dërguar medieve serbe, Jabllanoviq është akuzuar se “ është distancuar nga vendimi i përfaqësuesve politik relevant të serbëve në veri të lumit Ibër, që deri në një vendim të ardhshëm të ndërpriten marrëdhëniet me KFOR-in dhe me këtë, ai e ka dënuar veten me vetizolim”.

Përfaqësuesit politik të serbëve në veri të Kosovës e kanë akuzuar Jablanoviqin se e ka lehtësuar vizitën e autoriteteve të larta të Kosovës në veri të vendit.

“E ka mbështetur vendimin e KFOR-it që ta kontrabandojë në veri të Kosovës estabilishmentin politik të Prishtinës, i cili po e kushtëzon formimin e Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, me çka i është dhënë shuplakë gjithë popullit serb që jeton këtu”, thuhet në komunikate.

Gjithashtu, është thënë se përfaqësuesit politik të serbëve në veri, tash e sa kohë kanë marrë informata për Jabllanoviqin, për “aktivitete të paligjshme të tij, kontakte me shërbimet informative të huaja, si dhe me policinë sekrete të Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button