Nxirren 21 trupa të pajetë nga avioni i rrëzuar në Pakistan

Deri më tani janë nxjerrë 21 trupa të pajetë nga avioni i linjës ajrore ndërkombëtare të Pakistanit (PIA) i cili gjatë fluturimit Çitral-Islamabad u rrëzua në afërsi të rajonit Havelian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e zëdhënësit të ushtrisë pakestineze bëhet e ditur se vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit në mbetjet e avionit të rrëzuar dhe se deri më tani janë nxjerrë 21 kufoma në gjendje të djegur.

Ndërkohë, autoritetet qeveritare të rajonit Havelian kanë njoftuar përmes një deklarate për media se trupat e personave që ndodheshin në avion janë djegur deri në atë shkallë sa është i pamundur identifikimi i tyre dhe se avioni është copëtuar në masë të madhe.

Dëshmitarët okularë kanë theksuar për mediet e vendit se avioni ka marrë flakë para se të rrëzohej.

Nga ana tjetër, presidenti i Pakistanit Memnun Huseyin dhe kryeministri Navaz Sherif përmes një mesazhi të publikuar kanë shprehur dhimbjen dhe shqetësimin nga aksidenti tragjik.

Ndryshe, autoritetet paraprakisht njoftuan se avioni me 47 pasagjerë në bord ishte ngritur nga qyteti Çitral në veriperëndim të vendit në orën 15:30 sipas kohës lokale dhe pas një kohe i ka humbur lidhjet me kullën.

Avioni i vogël i pasagjerëve me numër udhëtimi PK-661 i PIA-s ra në afërsi të fshatit Karpal në rajon, me çka në vendngjarje u dërguan një numër i madh i ekipeve emergjente dhe njësite ushtarake.

Sipas pamjeve të transmetuara në media, u vërejt se avioni ka rënë në një hapësirë malore dhe është përfshirë nga flaka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button