Sela: Menduh Thaçi të jep dorëheqje nëse i humb zgjedhjet

   

Ziadin Sela i ka dhënë ultimatum Menduh Thaçit, nëse humb zgjedhjet parlamentare të largohet pozita e kryetarit të partisë. Sela tha se nëse Thaçi nuk tërhiqet, atëherë do të fillojë procedurën e brendshme partiake për të shkarkuar kryesinë aktuale të PDSH-së. Deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, dega e PDSH-së në Strugë do të vazhdojë moratoriumin e përgjithshëm të aktiviteteve, pa mbajtur përgjegjësi për rezultatin në Strugë.

“Menduh Thaçit i dëshiroj suksese në zgjedhje, por nuk do ketë kështu si e ka nisur. Nëse i fiton zgjedhjet, atëherë duhet të sillemi politisht korrekt, duhet me i thënë urdhëro vazhdo dhe realizo marrëveshjen e re politike. Nëse i humb zgjedhjet më datë 27 prill, unë i them prej sot të jep dorëheqjen, ndryshe do nisi gjithçka që është e nevojshme për të ndryshuar lidershipi i PDSH-së”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Komunës Strugës.

Përjashtimi i tij dhe kryetarit të degës Lavdrim Elmazi nga partia, për Selën nuk është në përputhje me statutin. Ai tha se Menduh Thaçi as nuk e ka sjellë Ziadin Selën në PDSH, dhe as nuk mund ta largojë.

“Ziadin Sela është anëtarësua në PDSH prej fillimit me vetdëshirë, ka punuar dhe për këtë është dëshmitar edhe opinioni, ka punuar që kjo parti të ngrihet në këmbë dhe tani pasi u ngrit në këmbë, ndokush mundohet ta luftojë Ziadini, por pak rëndësi ka kjo sepse duke luftuar Ziadinin ose Lavdërimin ti lufton një trup partiak shumë të shëndosh, shumë krenar dhe si i tillë Menduh Thaçi nuk mund të merr vendim për Ziadinin që ta përjashtojë nga partia…. të drejtën për të përjashtuar nuk ka askush, secili mund të flas për vete, të thotë që unë prej këtij momenti nuk jam anëtar i PDSH-së, dhe këtë mund ta thotë Mënduh Thaçi, do të kishte shumë të drejtë të thotë ‘Unë Menduh Thaçi prej sot nuk jam anëtar i PDSH-së’, ndërsa për Ziadin Selën unë nuk kam lejuar dikush të flasë në emër tim, dhe çdo herë do të flasë në emër tim unë”, u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Komunës Strugës

Mbrëmë në Strugë qëndroi kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, për të arsyetuar vendimin për kandidimin e Zija Jonuzit bartës liste në njësinë e pestë zgjedhore, që u bë shkas për përçarjen e PDSH-së në këtë qytet. 

Përçarja në degën e PDSH-së në Strugë erdhi pas refuzimit të kryesisë së partisë të listës së kandidatëve për deputetë të cilën e kishte propozuar dega e partisë. Dega dy ditë më parë vendosi të pezullojë aktivitetin për zgjedhjet parlamentare, ndërsa kryesia e partisë përjashtoi kryetarin e degës Lavdrim Elazin dhe anëtarin e kryesisë Zijadin Selën.

Kujtojmë se timonin e partisë Menduh Thaçi e mori pikërisht në qytetin e Strugës në vitin 2007.

Lajme të ngjashme

Back to top button