Korrupsioni në Maqedoni, ja plani i partive politike për uljen e kësaj dukurie

Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë, kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zhvilluar dhe forcuar sistemet e tyre për parandalim të korrupsionit, përparimi i tyre është i ngadalshëm dhe shpesh mbetet vetëm në letër, thuhet në raportin e fundit të Transparency International.

Në raport konkludohet se partitë politike janë më pak transparente. Ata posedojnë fuqi më të madhe, por është e vështirë të dënohen për korrupsion. Megjithatë partitë politike premtojnë se do të luftojnë korrupsionin dhe do të fokusohen në zbatimin e reformave paralajmëruese, njofton Portalb.mk. Ja qëndrimet e atyre partive që kanë publike platformat politike.

BDI premton reforma urgjente prioritare në agjendën e euro – integrimeve

Bashkimi Demokratik për Integrim është i vetëdijshëm se përmbushja e kritereve kryesore politike është e një rëndësie themelore në procesin për t’u bërë anëtar i BE-së, dhe për këtë arsye është e vendosur të bëjë përpjekje shtesë në reformën e saj gjyqësore, politikat anti-korrupsion, luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe reformat në administratën publike.

“Reformat urgjente prioritare në agjendën e euro – integrimeve në rend të parë janë interes i qytetarëve të Maqedonisë në drejtim vendosjes së demokracisë funksionale, rritjen e kredibilitetit të institucioneve të vendit dhe rritjen e standardit jetësor. Harmonizimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian do të vazhdojë në të gjitha sferat e sistemit dhe shoqërisë, sundimi i ligjit, të drejtat themelore, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit, qeverisja e mirë dhe marrëdhënie të mira ndëretnike, si dhe fqinjësi e mirë”, thuhet në programin parazgjedhor të BDI-së.

Rilindje me Besë: Të luftohet secila formë e korrupsionit

Rilindje me Besë thekson se synim kryesor i saj është lufta ndaj korrupsionit dhe sundimi i së drejtës.

“Një ndër synimet tona kryesore është që të bëhet depolitizimi dhe departizimi i sistemit të drejtësisë, i sistemit të sigurisë dhe i administratës dhe të luftohet secila formë e korrupsionit dhe e abuzimit me pushtetin”, thuhet në platformën e Rilindje me Besë.

VMRO premton program për parandalimin dhe uljen e korrupsionit

VMRO DPMNE në programin e saj parazgjedhor thotë se gjatë kësaj periudhe kohore janë përpiluar ndryshime dhe shtesa të ligjit për ndalimin e korrupsionit.

“ VMRO do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit në nivel institucional, me ç’rast Komisioni Shtetëror për ndalimin e korrupsionit po përgatit një program shtetërore për parandalimin dhe zvogëlimin e kësaj dukurie gjatë vitit 2016-2019. Në vazhdimësi zhvillohen kampanja për qytetarët që të marrin guximin dhe të lajmërojnë korrupsionin në linjat telefonike pa pagesë”, thuhet në platformën e VMRO-së.

LSDM: Do ta luftojmë korrupsionin duke nisur nga policia

Lufta kundër korrupsionit do të jetë prioriteti ynë, thuhet në platformën e LSDM-së

“Lufta më korrupsionin do të jetë prioriteti unë nëpërmjet të cilit do të tregohet vullneti politik për krijimin e kushteve për pavarësimin e institucioneve. Policia do të tregojë vendosshmëri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit duke filluar nga radhët e saja. Policia e cila është e lirë prej korrupsionit që nga radhët e saja, mund të krijojë mbrojtje dhe të garantojë shoqëri pa krim dhe korrupsion. Ne do të krijojmë kushte për ndërtimin e integritetit profesional të të punësuarve në polici”, thuhet në platformën e LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button