Deputetet e Kosovës dhe Shqipërisë “përplasen” me palën serbe në SEECP

Deputetja e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, dhe ajo e Shqipërisë, Esmeralda Shkjau, janë përplasur me përfaqësuesit serb në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore – SEECP, që u mbajt në Zagreb më 2 dhe 3 dhjetor 2016, transmeton Koha.net.

Në një njoftim për media, thuhet se në fokus të asamblesë ishte takimi mes SEECP dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), me ç’rast u vendos që udhëheqja e Komisionit të përhershëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energjetikë, në kuadër të AP të SEECP-së, t’i takojë Kosovës, kurse punimet të mbahen në Zagreb.

Në komunikatën për media nga Kuvendi i Kosovës thuhet se Blerta Deliu-Kodra ka akuzuar palën serbe se me synimin për të bllokuar Kosovën që të zhvillojë në Prishtinë mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, po bën hapa prapa dhe po bie në kundërshtim edhe me bashkëpunimin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deliu-Kodra i bëri thirrje përfaqësuesit të delegacionit të Serbisë që të zbatojë Deklaratën e Tiranës, jo vetëm formalisht, por edhe në praktikë, e cila është miratuar edhe nga pala serbe.

Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Esmeralda Shkjau, i rikujtoi palës serbe dhe të gjitha delegacioneve të tjera të pranishme, se duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze Deklaratën e Tiranës, të miratuar me konsensus nga të gjitha vendet e SEECP-së.

“Deklarata e Tiranës fton gjitha vendet e SEECP-së, që të ftojnë Kosovën të marrë pjesë në të gjitha nivelet e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, si e barabartë dhe me të drejta të plota”, tha Esmeralda Shkjau. Ajo theksoi, gjithashtu, se çështja e përfaqësimit të Kosovës në të gjitha forumet rajonale, përfshirë edhe dimensionin qeveritar të SEECP-së, është zgjidhur që para tre vitesh dhe nuk ka asnjë problem përfaqësimi. “Bllokimi nga ana e Serbisë është i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh deputetja Shkjau në fjalën e saj.

Pas këtyre vërejtjeve nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, anëtaret e delegacionit serb nuk patën asnjë reagim.

Takimi i radhës i Komisionit Drejtues të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, do të mbahet në Zagreb, para pranverës së vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button