Aleanca për shqiptarët prezentoi platformën e saj në Dollnen dhe Kërçovë

Aleanca për shqiptarët prezentoi platformën e saj në Dollnen dhe Kërçovë. Në prezantimin e platformës së Aleancës për shqiptarët të pranishëm ishin liderët e Aleancës për shqiptarët, Vesel Memedi, Ziadin Sela dhe Gëzim Ostreni, si dhe të gjithë kandidatët e mundshëm për deputet që vijnë nga ky rajon, sidomos bartësit e listës Syreja Rashidi, Remzi Mehmedi dhe kandidatët tjerë.

Në tubimin në Kërçovë, liderët e Aleancës për shqiptarët dhe kandidatët për deputetë folën rreth platformës politike dhe ekonomike, si dhe situatës aktuale politike në vend.

Në fjalën e tij të rastit para dashamirëve të Aleancës për shqiptarët në Kërçovë, njëri nga liderët e Aleancës për shqiptarët Vesel Memedi theksoi se gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare, shqiptarët janë mashtruar masovikisht nga liderë dhe parti të ndryshme politike shqiptare apo maqedonase.

“Ky mashtrim ka qenë aq i madh saqë lirisht mund të krahasohet me fenomenin e ‘fshatit Potemkin’ ku gjatë mesit të shekullit 18, një fshat i tërë mobil është ndërtuar prej letre, për të manipuluar dhe mashtruar të tjerët. Skena aktuale politike në vend është përplot me shembuj të këtij mashtrimi masiv ndaj popullatës shqiptare, ku njëra parti premton 1081 projekte, tjetra premton amnisti totale fiskale, tjetra ridefinim të shtetit, ndërsa te pala maqedonase njëra mashtron se shqiptarët do të jenë të barabartë në këtë shtet, ndërsa tjetra manipulon popullin maqedonas se shqiptarët kurrë nuk do ti gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta. E gjitha kjo nuk është asgjë tjetër përpos një mashtrim masiv të kalibrit të ‘fshatit Potemkin’, tha Memedi.

Sipas tij, tani nuk mbetet gjë tjetër përpos që populli shqiptarë të ul disonancën ose kundërthënien në mes qëndrimeve, besimeve dhe sjelljeve të njerëzve, dhe informatave dhe premtimeve gjigante që premtojnë partitë politike.

“Populli shqiptar do të zgjedh atë informatë që përputhet me zemrën, shpirtin dhe besimin e çdo shqiptari, dhe ne jemi të bindur se mesazhi i Aleancës për shqiptarët qëndron në shpirtin e çdo shqiptari”, theksoi ai.

Kandidatët për deputet theksuan se janë rreshtuar pas familjes së Aleancës për shqiptarët sepse kjo familje përbëhet nga një kombinim mjaft interesant i aftësive të ndryshme të tri liderëve politikë që janë pasuri e jashtëzakonshme për t’u ballafaquar me sfidat e kohës.

Kandidatët theksuan se janë të vetëdijshëm për humbjen e besimit të popullatës ndaj politikës në përgjithësi, por se duhet të sprovohemi me këtë përgjegjësi të madhe, dhe se vetëm në këtë mënyrë do të kuptoni konsistencën tonë me fjalët që i themi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button