Partitë politike para zgjedhjeve premtojnë ulje drastike të papunësisë

Varfëria në nivel shtetëror ka shënuar rënie, por edhe më tej një nga katër qytetarë nuk mund t’i plotësoje nevojat themelore për jetesë. Nga ana tjetër, qeveria publikoi se papunësia ka shënuar nivelin më të ulët deri më tani në historinë e vendit, e që vetëm me projektin “Maqedonia punëson” janë punësuar 11.000 njerëz.

Kurse  partitë politike edhe në këtë fushatë parazgjedhore, kanë mbushur platformat e tyre me plane dhe projekte se si do ta luftojnë papunësinë dhe si do shënojnë rritje ekonomike në vend.

BDI: Shkalla e papunësisë deri në fund të vitit 2020 të arrijë rreth 20%

Ne besojmë se vetëm përmes shpërndarjes proporcionale të buxhetit, zhvillimit rajonal të barabartë, investimit në rritjen e cilësisë së arsimit dhe politikave për uljen e papunësisë, mund të garantohet stabiliteti, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik i të gjithë qytetarëve, thuhet në platformën e BDI-së.

“Krijimi i vendeve të reja të punës. Rritja ekonomike e parashikuar në periudhën 2017-2020 pritet të ketë ndikim pozitiv në lëvizjet e tregut të punës. Sipas projektimeve, pritet rritje vjetore mesatare e numrit të të punësuarve prej afër 2.5%, si rezultat i krijimit të vendeve të reja të punës në zonat e lira ekonomike, masat aktive dhe programet për uljen e papunësisë, si dhe nga realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore. Kjo do të rezultojë me zvogëlim të numrit të të papunësuarve dhe do të kontribuojë që shkalla e papunësisë deri në fund të vitit 2020 të arrijë rreth 20%.

Zhvillimi i zonave të lira ekonomike dhe zonave industriale. Përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve shqiptar, zvogëlimi i papunësisë, rritjet e investimeve dhe zhvillim të barabartë të regjioneve përmes themelimit të zonave të lira ekonomike apo ato industriale në vendbanimet e tyre është një nga prioritetet e Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe në vitet në vijim do të vazhdohet me themelimin e zonave të reja industriale” thuhet në platformën e BDI-së.

Rilindje me Besë premton uljen e papunësisë prej 24 deri në 23%

Një nga objektivat kryesore të koalicionit “Rilindje me BESË” paraqet krijimi i kushteve për nxitjen e rritjes ekonomike, duke u përqendruar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

“Një ndër prioritetet e koalicionit “Rilindje me BESË” në sferën ekonomike është ulja e normës së papunësisë prej 24 deri në 23%, me ç’rast do të hapen mbi 40 mijë vende pune”, thuhet në platformën e Rilindje me Besë.

VMRO:Ulja e papunësisë është rezultati më i suksesshëm i Qeverisë së Maqedonisë

Me zbatimin e reformave konkrete VMRO-DPMNE vlerëson se ka pasur rezultate që ndihmuan për tu përballuar më mirë me sfidat e krizës, e cila rezultoi me një reduktim të ndjeshëm të papunësisë dhe përmirësimin e përgjithshëm e ekonomisë së Maqedonisë.

“Ulja e papunësisë është rezultati më i suksesshëm i Qeverisë së Maqedonisë në krye më VMRO-në. Maqedonia është vendi i vetëm në Evropë i cili shënoi ulje të papunësisë në këto kushte të krizës evropiane.
Gjatë periudhës së ardhshme parashikojmë ulje të papunësisë nëpërmjet rritjes së ekonomisë, investimeve të huaja, mirëmbajtjen e biznes klimës në nivel më të mirë botëror, që do të jetë rezultat për investimet e brendshme të cilat do të hapin vende pune, përkrahja e vazhdueshme e subvencioneve.

Qëllimi ynë është që deri në fund të vitit 2020 të ulim papunësinë në 18 për qind, gjë që është e realizueshme nëse nuk ka kriza të reja në ekonominë evropiane dhe botërore. Kjo do të thotë se për katër vite në Maqedoni do të hapen rreth 70 mijë vende të reja pune”, thuhet në platformën e VMRO-së.

LSDM:Ne premtojmë ulje të papunësisë nën 20 për qind deri në vitin 2020

Sipas LSDM-së ekonomia nuk mund të ketë sukses me modelin e tanishëm për zhvillim, i cili bazohet në investimet e huaja, paga të ulëta dhe investime shtetërore në fasada, përmendore dhe objekte administrative.

“Investimet e huaja në Maqedoni po vinë para se të gjithash me paga të ulëta dhe të mirat që u siguron shteti. Megjithatë ato nuk mund të zgjidhin problemin me papunësinë dhe të rrisin produktivitetin e ekonomisë. Modeli i jonë i zhvillimin bazohet në përkrahjen e kompanive vendore dhe investimi i tyre. Për ne investimet e huaja janë shtesë dhe jo zëvendësim i atyre vendore. Për këtë shkak do të kujdesemi që t’i mbajmë dhe tërheqim investimet e huaja por gjithashtu të forcojmë edhe kompanitë vendore, të cilat investojnë, hapin vende pune dhe krijojnë vlera më të mëdha.

Ne premtojmë ulje të papunësisë nën 20 për qind deri në vitin 2020. Parashikojmë punësime në sektorin privat deri në 64 mijë persona në periudhë kohore prej 4 viteve, gjithashtu premtojmë pagë minimale prej 16 mijë denarësh
Gjithashtu do të realizojmë program për punësimin e të rinjve, e cila ekziston në vendet e BE-së”, thuhet në platformën e LSDM-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button