Zgjedhjet u ‘vjedhin’ miliona euro qytetarëve

Që nga viti 2006 duke llogaritur edhe këto zgjedhje parlamentare të prillit, Maqedonia numëron shtatë cikle zgjedhore të cilat bartin në vete harxhime të mëdha financiare, të cilat sigurohen nga buxheti i shtetit, gjegjësisht para që sigurohen nga tatimet e qytetarëve.

Në qoftë se në muajin prill të këtij viti, bashkë me zgjedhjet e rregullta presidenciale, do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë prej vitit 2006 deri më tani i bie që të mbahen tetë cikle zgjedhore, për të cilat, nëse harxhimi mesatar do të ishte tre milion euro, atëherë do të thotë se, vetëm për tetë vite, Maqedonia ka harxhuar rreth 24 milion euro.

                                                            TABELA E ZGJEDHJEVE

Viti

Lloji i zgjedhjeve

2006

Zgjedhje Parlamentare

2008

Zgjedhje të parakohshme parlamentare

2009

Zgjedhje lokale

2009

Zgjedhje presidenciale

2011

Zgjedhje të parakohshme parlamentare

2013

Zgjedhje Lokale

2014

Zgjedhje presidenciale 

2014

Zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Nënkryetari i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ), Subhi Jakupi, ka deklaruar për Portalb se mbajtja e një cikli zgjedhor buxhetit të shtetit i kushton prej në dy deri në katër milion euro, varësisht llojit të zgjedhjeve.

“Një cikël zgjedhor kushton prej në dy milion deri në katër milion euro, varësisht prej asaj nëse zgjedhjet janë parlamentare, presidenciale apo lokale. Buxheti i Qeverisë më pak mjete harxhon kur organizon zgjedhjet lokale, pasi në ato i zgjedhje një pjesë të harxhimeve i mbulojnë edhe komunat”, tha Jakupi.

Në aspektin ekonomik, ekspertët vlerësojnë se organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve është luks dhe harxhim i kotë i mjeteve. 

“Përsëritja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është një proces i luksit politik të partive të cilat mbajnë  nën kontroll gjendjen psiko-sociale të popullsisë për te gjetur mbështetje të rreme dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Nëse marrim në llogaritje harxhimet për një palë zgjedhje dhe ndikimit të harxhimeve në buxhetin e shteti, vërehet një luks i shpenzimeve të kota, që aspak nuk sjellin rezultate këto përsëritje të zgjedhjeve përveç agresivitet dhe forcim të pushtetit të njëjtë dhe që reflekton në centralizëm socio-ekonomik”, vlerëson ekonomisti Maksuti.

Ai nënvizon se nëse për çdo vit paraqiten harxhime prej dy deri në tre milion euro vetëm për zgjedhje të cilat nuk sjellin asgjë, veç përsëritje të plan-programeve sterile politike, kjo do të thotë ulje graduale e standardit edhe ekonomik edhe politik të një shteti.

“Qytetaret përveç që këto harxhime i mbulojnë me anë të taksave dhe tatimeve, një shumë të mirë e mbulojnë edhe dënimet e larta që ekzistojnë. Përsëritja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ndikon edhe në mos seriozitetin e shtetit në nuanca ndërkombëtare”, deklaron ekonomisti Ali Maksuti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button