Austria mbështetje Shqipërisë për integrimin në BE

Ministri austriak i Mbrojtjes, Hans Peter Doskozil, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me homologen shqiptare, Mimi Kodheli, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimit të takimit zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes, Kodheli dhe homologu i saj austriak kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat.

Kodheli në fjalën e saj u shpreh se Austria gjatë historisë së shtetit shqiptar ka qenë një vend mik i Shqipërisë. “Vizita e sotme është një shprehje e vullnetit për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm që dy vendet tona gëzojnë. Dua të theksoj se në arenën ndërkombëtare Austria është jo vetëm një partner i veçantë i NATO-s, por edhe një vend që mbështet modelin e institucioneve të bazuara në vlerat evropiane. Me ministrin ndajmë të njëjtin qëndrim mbi bashkëpunimin NATO-BE që iu jep mundësie aleatëve dhe partnerëve të përdorin me efikasitet burimet financiare. Vendet tona gëzojnë një marrëdhënie bashkëpunimi shumë të mirë që besoj se do të shkojë gjithnjë në rritje”, ka theksuar Kodheli.

Ajo ka shtuar se dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si në çështjen e integrimit evropian, ekonomisë, administratës publike, ushtarake, etj.

Ministri austriak Hans Peter Doskozil, deklaroi se Austria do të ofrojë mbështetjen e duhur për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. Në lidhje me migracionin ai u shpreh se kanë përfshirë në tryezën e diskutimeve vendet e rajonit, si Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe në të ardhmen sipas tij do të përfshihet edhe Shqipëria

“Austria e ka vërtetuar edhe më parë se çfarë detyrimesh ka ajo në rajon dhe është e interesuar që në rajon të mbizotërojë stabiliteti, ku këtë e provon edhe prezenca jonë në Kosovë dhe Bosnjë. Mendoj që Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, përsa i përket situatës ekonomike, ashtu edhe situatës me vendet e punës. Pritet dhe shpresohet që në muajt në vazhdim të hapen negociatat për anëtarësimin (në BE), ku vitit 2017 do të jetë një vit vendimtar. Në këtë çështje Austria do ti japë Shqipërisë mbështetjen e duhur. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake, se si mund ta forcojmë në bashkëpunim dypalësh në këtë drejtim”, ka deklaruar ministri austriak i Mbrojtjes, Hans Peter Doskozil.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button