Rilindje me BESË: Edhe ky 28 Nëntor me një ligj nënçmues në fuqi për flamurin

Koalicioni “Rilindje me BESË” ka reaguar sot në lidhje me Ligjin për përdorimin e flamurit shqiptar me dimensione trefish më të vogla nga ai maqedonas.

“Është ky ligj, që nënçmon luftën e Skënderbeut, kontributin e Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës dhe që neve, shqiptarëve të Maqedonisë, na pengon ta ndjejmë frymën e vërtetë të Festës së Flamurit. Arsyetimet se ligji aktual, me të cilin flamurit kombëtar shqiptar i caktohen dimensionet tri herë më të vogla se flamuri kombëtar maqedonas, se kjo është bërë në bazë të flamurit të shtetit shqiptar janë absolutisht të papranueshme. Për neve ai është vetëm flamur kombëtar.
Sipas nenit 8 të ligjit për përdorimin e flamujve i vitit 1973, pra nga ish Jugosllavia, në mënyrë taksative thuhet që gjatë përdorimit të përnjëhershëm të më shumë flamujve dimensionet e tyre patjetër të jenë të barabarta. Kurse dimensionet e tanishme të flamurit kombëtarë shqiptar janë sa një e treta e flamurit kombëtar maqedonas. Gjithashtu, sipas ligjit aktual përpos dimensioneve të ndryshme, flamuri ynë kombëtar përdoret vetëm në nivel lokal edhe atë aty ku mbi 50% e popullatës janë shqiptarë.” tha zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të koalicionit Rilindje me BESË, Orhan Murtezani.

Ai tha që kërkojnë t’i jepet fund kësaj përbuzje duke u bërë flamuri shqiptar i barabartë me flamurin kombëtar maqedonas: as më pak e as më shumë.

“Jemi koshientë se kjo ditë e madhe nuk është ditë e përshtatshme për fushatë dhe porosi politike, mirëpo Flamurin Kuq e Zi e kemi amanet që duhet ta ruajmë. Po ashtu e kemi amanet që, bashkë me urimin për këtë festë, t’jua rikujtojmë se më 11 dhjetor me votën tonë mund t’i japim fund edhe qeverisjes së partisë e cila publikisht është deklaruar që e përkrah miratimin e stemës shtetërore me luanin e VMRO-së. Ky do të ishte edhe një nënçmim për Shqiponjën Dykrenare, e cila fatkeqësisht as sivjet nuk mund të valojë zyrtarisht në Kumanovë, Butel, Shuto Orizarë, Dollnen dhe në vise të tjera të banuara me numër të madh të shqiptarëve.” tha Murtezani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button