Përgjaket Ukraina, dhjetra të vrarë në Kiev (FOTO-VIDEO)

Presidenti ukrainas, Viktor Yanukovich fajësoi opozitën për falën e re të dhunës në vend, që ka shkaktuar të paktën 25 viktima, vetëm në kryeqytetin Kiev.

Pas dështimit të bisedimeve me opozitën, Yanukovich ftoi udhëheqësit e kësaj të fundit që të distancohen nga grupet radikale dhe tha se janë ende në kohë për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, policia vazhdon operacionin në kampet e protestuesve. Ndryshe nga presidenti, aktivistët e të drejtave të njeriut fajësuan qeverinë për dhunën e shpërthyer. Sipas tyre, ndërhyrjet brutale të policisë shkaktuan reagimin e turmës.

Në Kiev numërohen të paktën 25 viktima, nga të cilët 9 raportohen oficerë policie, ndërsa të plagosurit janë mbi 150. Të martën, në orën 18:00 me orën lokale (17:00 me orën tonë) përfundoi ultimatumi i vendosur nga forcat e rendit, për boshatisjen e sheshit. Përmes megafonëve, ata njoftuan “nisjen e operacionit anti-terror”. Ata përdorën pompat e ujit dhe avancuan me automjetet e blinduara. Protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe fishekzjarre.

Udhëheqësi i opozitës, Arseniy Yatsenyuk, këmbënguli se kampi nuk do të lëvizë prej “Maidan”-it, ndërsa Vitali Klitschko u kërkoi grave dhe fëmijëve të largohen, sepse nuk përjashtohet përdorimi i forcës.

Një prej këshilltareve të Yanukovych, i cituar nga media ukrainase, tha se presidenti është kundër përballjes dhe konfliktit. Më herët, policia bllokoi protestuesit, që po marshonin drejt Parlamentit, ku deputetët do të debatonin projekt/propozimin e opozitës për ndryshime në Kushtetutën e vendit, për t’iu kthyer dokumentit të vitit 2004, që kufizonte pushtetin e Presidentit.

Por, përfaqësuesit e opozitës thanë se u bllokuan dhe nuk arritën të dorëzojnë draftin e tyre. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, pati përleshje brenda Parlamentit. Kryetari i Parlamentit, Volodymyr Rybak, tha se, mëngjesin e së mërkurës, udhëheqësit e opozitës do të takohen me presidentin Viktor Yanukovych.(TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button