Monstra, për dëshmi merren literatura fetare dhe klipi i Golden G!

Literatura fetare dhe kënga “Ty Gostivar”, interpretuar nga reperi i njohur shqiptar, Golden G, janë dëshmitë e radhës të cilat i ka propozuar prokuroria dhe janë dëgjuar gjatë seancës gjyqësore së të martës për rastin “Monstra”. 

Këto dëshmi dhe të dhëna të tjera, prokuroria i ka siguruar nga kompjuterët e të akuzuarve që janë marrë gjatë arrestimit të tyre. Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufi, liria e përkatësisë fetare është e garantuar me Kushtetute dhe ligj dhe literatura fetare në këtë rast nuk mund të merret parasysh si provë. 

“Prokuroria praktikisht nuk propozoi as një provë ,janë të dhëna prej literaturës fetare që nuk mund ta kuptoj se si mund që kjo të merret si provë dhe të prezantohet nga ana e prokurorisë. Thjeshtë jemi dëshpëruar dhe të habitur se deri me tani asgjë nuk është prezantuar konkretisht për rastin, por ka vetëm prova periferike që nuk kanë asgjë të bëjnë me rastin në fjalë”, tha për Portalb avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ai shtoi se mbrojtja ka kërkuar të prezantohet vetura Opel Omega si dëshmi materiale, por trupi gjykues e ka refuzuar këtë akt që sipas tij është indikative se gjykata nuk ka dëshmi për rastin.

 “Vet momenti që gjykata e refuzoi këtë gjë që jemi duke e kërkuar më shumë se 10 ditë, sipas meje tregon dhe është një kauzalitet me atë që nuk i konvenon prokurorisë që kjo provë të prezantohet. Dyshoj që kjo veturë bile se ekziston dhe nuk shoh arsye të qartë pse mos të prezantohet kjo dëshmi që është materiale” potencoi Raufi.

Ndërkaq, familjarët akuzojnë se në mungesë të fakteve, prokuroria merret me dëshmi të parëndësishme për rastin.

“Në mungesë të fakteve ata merren me shpalosjen e literaturës e cila askund nuk është e ndaluar, për shembull ligjëratat e hoxhallarëve që nuk tregojnë asgjë për rastin. Ata na shëtisin vërdallë dhe mbajnë me qëllim të akuzuarit nëpër qeli” tha anëtarja e familjes, Bedru.
Seanca e radhës për rastin “Monstra” është caktuar për tu mbajtur muajin e ardhshëm.

Ngadalë po afrohet fundi i gjykimit ndërsa për të akuzuarit ende nuk është gjetur dëshmi kapitale se janë kryerës të vrasjes së pesëfishtë afër Liqenit të hekuranës para dy viteve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button