Tajlandë, përleshje polici-protestues

Policia tajlandeze po përballet me protestuesit në një zonë në qendër të Bangkokut, ku persona të shumtë kanë mbetur të plagosur ndërsa një oficer policie është vrarë.

Policia po përpiqet të rimarrë nën kontroll ndërtesat zyrtare dhe vendet që janë bllokuar nga demonstruesit. Në orët e para të së martës ata rrethuan rreth 100 protestues jashtë një ndërtese qeveritare.

Tajlanda është përfshirë në një krizë politike që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur filluan dhe protestat anti-qeveritare. Protestuesit kanë pushtuar objektet zyrtare në muajt e fundit duke i bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet.

Por ekzekutivi nga ana e tij deklaron se do të rimarrë nën kontroll të gjitha ndërtesat e zaptuara brenda javës. Zyra e kryeministres, e njohur ndryshe si Shtëpia Qeveritare, ka qenë një pikë e nxehtë për manifestuesit.

Mijëra u mblodhën jashtë kësaj ndërtese ditën e hënë, duke bllokuar hyrjet dhe duke penguar zyrtarët të shkonin në punë.

Në orët e para të së martës policia nisi negociatat me protestuesit, të cilët në ditët e fundit janë shtuar në numër për të mbrojtur zonat e marra nën kontroll.

Dhuna më pas shpërtheu në një pjesë në qendër të Bangkokut, ku u dëgjuan të shtëna dhe një polic mbeti i vrarë, edhe pse nuk dihet se kush qëlloi. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button