Ja si i gjen trojet shqiptare 108 vjetori i “Ditës së Alfabetit”!

108 vjetori i “Ditës së Alfabetit” po i gjen vendet shqiptare me numër të madh shkollash dhe numër të madh të nxënësve, edhe atë mbi mesataren evropiane. Por paradoksalisht edhe me nivel të ulët të cilësisë arsimore. Kështu për shkak të politizimit të sistemit arsimor si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri. Rrjedhimisht cilësia e ulët e arsimit po shkakton pasoja të ndryshme socio-ekonomike. Ky është konkluzioni nga tryeza e rrumbullakët shkencore “Arsimi-nga tradita drejt sfidave të reja”, të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Qendrën Informative Kulturore, në Shkup, njofton Portalb.mk.

Profesori universitar i Universitetit të Prishtinës, Dukagjin Pupovci citoi të dhënat sipas të cilave numri i studentëve në 100 000 banorë është 6669 në Kosovë, 6015 në Shqipëri, 2927 në Maqedoni, ndëra 3987 në BE. Numri i institucioneve të larta për 1 milion banorë në BE është 7, në Shqipëri 17, në Maqedoni 9, ndërsa në Kosovë 20. Ndërsa raporti mes mësimdhënësve dhe studentëve është 1 mësimdhënës për 32 studentë në Kosovë, 1 për 24 studentë në Shqipëri, 1 për 17 në Maqedoni.

Megjithatë në testet PISA nxënësit kanë arritur rezultate të dobëta.  Për lexim Maqedonia është radhitur në vendin e 38-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 40 nga gjithsej 41 vendet e testuara. Për matematikë (në vitin 2012) Shqipëria është radhitur në vendin e 57-të nga gjithsej 65 vendet e testuara.

Pupovci  duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore sqaroi tezën se asnjë sistem në botë që ka sistem arsimor të mirë, ka nivel të lartë të papunësisë ashtu siç kanë vendet tona. Ashtu që niveli i papunësisë në Shqipëri është 17,5%, në Kosovë 32,9%, në Maqedoni 26,3% kurse BE-ja 8,5%. Pupovci sqaroi se është i madh numri i të rinjve të moshës 15-24 vjeçar, që  nuk janë as në punë e as në shkollë. Edhe atë: në Shqipëri 30%, në Kosovë 35%, në Maqedoni 24,8%, ndërsa mesatarja e BE-së është 13%. Ndërsa të dhënat e BPV-së dëshmojnë se vendet tona janë nga fundi i tabelës evropiane për nga standardi jetësor.

Sipas Pupovcit në Kosovë e Shqipëri është alarmante dukuria e rritjes së pagave të mësimdhënësve gjatë fushatave parazgjedhore. Në Shqipëri sistemi arsimor është i centralizuar, ndërsa në Kosovë dhe Maqedoni është më i decentralizuar. Por e përbashkëta është politizimi i sistemit arsimor. Kjo është e dukshme, sipas tij, në atë që pas zgjedhjeve largohen nga puna mësimdhënës që nuk i takojnë partisë fituese dhe punësohen anëtarët e partisë në fjalë.

Profesori nga Universiteti “Marin Barleti” (Tiranë), Robert Gjedija sqaroi zhvillimin historik të sistemit arsimor shqiptar dhe theksoi mungesën e modelit të përshtatshëm, për shkak të eksperimentimit me modele të ndryshme të huaja deri tani.

Edhe profesori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Zeqirija Neziri theksoi mungesën e modelit të sistemit arsimor shqiptar dhe traditës së pa-mjaftueshme në këtë sferë.

Të gjithë panelistët ishin të pajtimit se sistemi arsimor duhet të depolitizohet urgjentisht, përndryshe nuk do të ketë arsim cilësor. Rrjedhimisht vendet do të vazhdojnë të përballen me papunësi, standard të ulët jetësor, emigrim dhe shumë probleme tjera ekonomike.

Sipas rektorit të Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, arsimi në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë sfidat e tij, por është koha që në vend dhe rajon të zhvillohen politika arsimore afat-gjate, me vizion të qartë dhe të reformuar.

“Maqedonia ka një popullsi të konsiderueshme të rinjsh, poashtu edhe Kosova dhe Shqipëria. Maqedonia ka shumë të rinj kompetent, shumë prej të cilëve fatkeqësisht po kërkojnë opcione për jetën e tyre jashtë shtetit. Është detyra e politikë-bërësve dhe në përgjithësi e akademikëve, që në konsultim me nevojat e të rinjve të të bisedojnë mbi reformat e nevojshme për të zhvilluar një rini të përgatitur për sfidat e së ardhmes, një rini që do të mund të shpjerë rajonin në drejtimin e duhur. Thënë shkurt si të ndërtojmë një rini me vizion dhe si t’u ndihmojmë atyre të kenë  mundësi që vizionet e tyre t’i bëjnë realitet” tha Pollozhani.

Ministri i arsimit, Pishtar Luftiu theksoi nevojën e krijimit të politikave të shëndosha arsimore gjithë-përfshirëse, si parakusht për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti luan rolin vital në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë demokratike të bazuar në dije. Aftësia e një shoqërie për prodhim, selektim, përshtatjen dhe shfrytëzimin e diturive konsiderohet si faktor kritik për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Në këtë kontekst përgjegjësia e arsimit të lartë është më e madhe se asnjëherë deri më tani” tha Luftiu.

Programe studimore kompatibile me nevojat e tregut më të gjërë, sigurimi i qëndrueshmërisë dhe konkurrencës me tregun evropian dhe botëror, mobiliteti mes studentëve dhe kuadrit arsimor, bashkëpunimet bilaterale… janë disa nga synimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, tha Ministri Lutfiu./Portalb.mk

LEXO: Universiteti Nënë Tereza, 11 profile studimore për vetëm 183 studentë

Dita e Alfabetit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button