“Zgjedhje kredibile dhe reformat kusht për hapjen e negociatave me Maqedoninë”

Takimi i 13-të i Komitetit të përbashkët konsultues (KPK) të rajoneve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Republikës së Maqedonisë të mbajtur në Shkup, iu kushtua çështjeve për zgjerimin e BE-së, si dhe Raportit të fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë në përmbushjen e kushteve për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i cili organizohet nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, synon përgatitjen e bazës për zgjerimin e BE-së përmes avancimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit mes autoriteteve lokale dhe rajonale.

Shef i sektorit politik nga Delegacioni i BE-së në Shkup, Lukas Holub, theksoi se takimi i sotëm i KPK-së është një shenjë e qartë e përkushtimit të BE-së në të gjitha nivelet për Maqedoninë. Ai shtoi se pushteti lokal luan një rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit dhe integrimin e vendit në BE.

Holub njoftoi se vitin e ardhshëm planifikojnë të fillojnë një projekt në vlerë prej 2.2 milionë euro në mbështetje të komunave, veçanërisht në përforcimin e tyre në shërbimet e qytetarëve. Mirëpo, siç tha ai, pikëpamjet e politikanëve dhe qytetarëve aktualisht janë të fokusuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit të cilat sipas tij, janë mundësi për politikanët që ta largojnë vendin nga kjo krizë dhe të ecin drejt integrimit euro-atlantik.

“Patjetër që këto zgjedhje duhet të jenë të besushme. Shpresojmë se pas zgjedhjeve ne do të angazhohemi me qeverinë e re për reformat dhe për të diskutuar se si të përmirësojmë situatën. Shpresojmë se kjo do të ketë një ndikim të mirë në pushtetin lokal. Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar edhe njëherë hapjen e negociatave të anëtarësimit të këtij vendi. Megjithatë, ajo vjen me dy kushte, zgjedhje të besueshme dhe reforma të nevojshme”, deklaroi Holub.

Nga ana tjetër, këshilltar komunal për arsim, kulturë dhe trashëgimi nga Verviers, Belgjikë, njëherësh bashkë-kryesues i komitetit, Jean-François Istasse, theksoi se komunat luajnë një rol të rëndësishëm, pasi që 55 përqind të investimeve në vendet evropiane vijnë nga komunat. Ai shtoi se përmes takimeve të këtij komiteti, do të ndihmohet rruga euro-atlantike e Maqedonisë.

“Brenda kushteve të tanishme politike në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, qartë është se Maqedonia ka nevojë për Bashkimin Evropian, por poashtu është edhe më e qartë se BE-ja ka nevojë për Maqedoninë. Të gjitha kushtet në këtë kuptim janë të bashkuara për të siguruar progres dhe për të inkurajuar Komisionin për të bërë hapa të reja në negociatat me Maqedoninë”, deklaroi Istasse.

Ndërkaq, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë, Shiret Elezi, duke theksuar se takimi i sotëm mbahet menjëherë pas publikimit të Raportit të KE-së për Maqedoninë në procesin e aderimit në BE në vitin 2016, shtoi se: “Me këtë mund të tregoj se Qeveria e Maqedonisë në periudhën e pas marrjes së këtij raporti, me të gjithë kapacitetin e vet do të përqendrohet në vazhdimin e procesit reformues, i cili edhe më tej do të mbetet prioritet i lartë shtetëror”.

Ndryshe, Komiteti i përbashkët konsultues (KPK) është formuar në vitin 2008 dhe e përbëjnë 22 anëtarë, nga njëmbëdhjetë nga çdo palë dakorduese dhe po aq zëvendës. Delegatët nga Maqedonia janë kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button