Thaçi: Serbia do ta njoh Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e fillimit të festimeve i ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për 6-vjetorin pavarësisë. Ai ka thënë se këto festime do të përfshijnë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në nivel qendror dhe lokal.

Gjithashtu, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në, NATO-n dhe të gjithë mbështetësit e përpjekjeve të tyre për liri e pavarësi.

I pari i qeverisë, ka thënë se këto festime po bëhen në kohën kur po forcohet subjektiviteti ndërkombëtarë i shtetit, kur janë arritur 106 njohje ndërkombëtare, kur çdo herë e më shumë jemi më afër integrimeve euroatlantike, liberalizimit të vizave, procesit të stabilizim asoocimit, perspektives për partneritet për paqe dhe anëtarësimit në NATO.

Ai ka thënë se në të ardhmen jo të largët do të bëhemi pjesë edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas Thaçit, tashmë është hapur edhe një kapitull i ri për Kosovës, ai i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri, beson se Serbia në një të ardhme jo të largët do ta njoh Kosovën si shtet, raporton KP.

Thaçi, ka përmendur edhe takimin e fundit që është mbajtur në Bruksel mes dy kryeministrave. Ai ka thënë se në parim është arritur marrëveshja për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë.

Ai ka shtuar se me funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, do të ketë një fillim të funksionalizimit të funksionimit të tërësishëm në veri, në veçanti zgjedhjet lokale, fillimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, integrimi i komunitetit serb në Policinë e Kosovës, funksionimi i sistemit doganor dhe pagimit të taksave dhe fillimi i funksionalizimit të IBM-së./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button