VOKSHI

E lexoja esenë e Fatmir Sulejmanit Gjeniu i përzënë nga vendlindja. Ese e bukur. Dhe, lexohet me një frymë. Por mua, si një njeri i zhytur në thellësitë e gjuhës shqipe ku fshihen fjalë të panumërta të panjohura, të imta, po me peshë të madhe (e gjithsesi edhe në rrezik nga vdekja e sigurt)  dhe të cilat bëjnë dritë si gurët e çmueshëm në errësirë, përveç esesë më tërhoqi edhe një fjalë e shkruar me germa të mëdha në tekst: ZGJEBSH. E di se nuk do ta gjej në Fjalorin e gjuhës shqipe, po përsëri e hap fjalorin. Për një helbete. Fjalori, natyrisht,  nuk e ka, siç nuk ka edhe mijëra e mijëra fjalë të tjera.

Lexuesit i bie në sy se fjala ka të bëjë me emrin zgjebe. Po, sh-ja? Sh-ja është prapashtesë.

Për këtë prapashtesë do të flasim pak më poshtë.

Tash të themi se kjo fjalë është një pejorativ. Zgjebsh. Siç është edhe  shkepsh, rrepsh, përçirrsh etj. Pse s’e paska Fjalori këtë fjalë? Përgjigja është se prapashtesa sh ani se është me rrënjë të forta shqipe nuk gjendet në asnjë tekst shkollor, në asnjë gramatikë të gjuhës shqipe dhe se nuk ka asnjë studim për këtë prapashtesë. Dhe, përsëri shtrohet pyetja: pse është kështu? Këtu përgjigjja është e dhembshme: për shkak se institucionet askund në hapësirën etnike shqiptare nuk japin asnjë cent për kërkime të trashëgimisë sonë kulturore në terren. Ne kemi mbetur diku larg në kërkimet e trashëgimisë kulturore. Larg në të kaluarën, atje ku na kanë lënë rilindësit tonë të mirë.

Ç’është e vërteta kemi ne dy akademi, kemi ne disa institute, por kot është e gjithë kjo, vëlla, kur nuk ka subvencione, kur nuk ka para nga shteti për këto punë, nga shteti i cili jep para vetëm për rrogat e të punësuarve shumica e të cilëve i shpenzojnë vitet e tyre duke gërmicur rrogat nën hijen e rehatisë.

Ta lëmë këtë punën e ose më mirë papërgjegjësinë e institucioneve, sepse nuk është ky hall që e gulfat vetëm trashëgiminë kulturore.

T’i kthehemi prapashtesës sh.

Kur s’është prapashtesa sh në gramatika, atëherë kjo do të thotë se fjala zgjebsh e dhjetëra e ndoshta edhe qindra pejorativë të tjerë nuk janë përfshirë brenda kopertinave të Fjalorit. Prandaj për lexuesit tonë le të themi se fjala zgjebsh është fjalë e prejardhur nga emri zgjebe plus prapashtesa sh. Zgjebsh. Ky është konstruksioni gramatikor i fjalës.

Pejorativi është një fjalë me domethënie tallëse, fyese, nga lat. peiorativus ≃ peiorare: përkeqësoj ← peior: më i keq, më i lig. Më së shpeshti me të ndërtohen krahasimi, ironia, sarkazmi, por edhe metafora e simboli. Kjo është një kategori fjalësh për të cilën aq shumë ka nevojë letërsia jonë dhe gjuha jonë, në përgjithësi. Kurse tash domethënia e fjalës. Zgjebshi është një njeri të cilin duke e krahasuar me një njeri që është i rraskapitur nga zgjebja, ne në të vërtetë  atë njeri ne e tallim, e përçmojmë  për shkak se është i keq, është pa vlera, ia mban lartë, mundohet të ngjitet atje ku s e ka vendin, pra është edhe i lig.

O gjithë ato shpjegime!

Do të mbetemi pa thënë se pejorativa të kësaj natyre me prapashtesën sh ka shumë.

Duhet theksuar se një pjesë të këtyre pejorativave i ka mbledhur leksikologu i vyeshëm Abdullah Zymberi në hapësirat e Tetovës e të Vërmicës  (Lumë) dhe të Opojës, por ata përdoren në një hapësirë shumë më të madhe nga pjesa perëndimore e fshatrave të Kaçanikut e deri në Krujë e ndoshta edhe më tutje, në perëndim.

Ka gjasa që punën e prof. Abdullah Zymberit ta vazhdojnë studentët e  gjuhës e të letërsisë shqipe të Universitetit të Tetovës. Me punën e këtyre të rinjve fillon të çelë krenaria jonë.

Për fund të këtij teksti do të më lejohet t’i përmend edhe dy-tre pejorativa të tjerë. GJUNGSH, VOKSH, SHKEPSH…   Kuptimet e këtyre pejorativave lexuesi ynë i di. A nuk janë interesant?

Kurse VOKSHIN do ta vendosim në titull për dy arsye. Mos t’ia marrim titullin që e ka paraparë për ndonjë tekst Fatmir Sulejmani dhe, e dyta, le të themi se institucionet tona janë plot e përplot me voksha. A s’është ashtu?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button