Një shkrim pa fakte, por me shumë fyerje dhe seksizëm

[Recension: “Kjo është “trimnesha” që fotografohet me mikun e Musa Xhaferit (Foto)”]

Për të siguruar një informacion të rëndësishëm, nevojitet shumë sakrificë derisa të arrish tek ai. Në momentin që ke informacionin, gjërat e tjera, për profesionistët e vërtetë,  bëhen kollaj. Por, një gjë e tillë nuk vlen edhe për një pjesë të portaleve, të cilët marrin vetëm këtë të dytën – që do të thotë se prodhojnë lajme kollaj, pa siguruar informacionin. Andaj, te një pjesë e opinionit edhe krijohet përshtypja se puna më e lehtë në botë është gazetaria. Mjaftoka vetëm të ulesh përpara kompjuterit dhe të shfrenosh fantazinë.

[Recension: “Kjo është “trimnesha” që fotografohet me mikun e Musa Xhaferit (Foto)”]Linku për te artikulli origjinal: Kjo është “trimnesha” që fotografohet me mikun e Musa Xhaferit (Foto)

Data dhe koha e publikimit: 31.10.2016

Data e recensionit: 02.11.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Këtu lajmi fillon me “burime partiake” të BDI-së, ku thuhet se këto burime dëshmojnë së shumë djem dhe vajza të ndershme janë larguar nga kjo parti pas skandaleve të publikuara erotike. Domethënë këtë po e thonë burime brenda partisë. Eu! Paska edhe burime të tilla partiake, që ta thonë copë – shiko vëlla i dashur, në partinë tonë përditë largohen njerëzit, ne jemi kot fare. Duhet mbyllur kjo parti, ç’e do më, na plasin skandalet erotike nga të gjitha anët, sikur ato ujërat e zeza. Madje nuk e di se çfarë bëj unë akoma këtu!

Pra, sipas këtij teksti, kështu shpreheshkan burimet brenda-partiake. Mirë kjo, po menjëherë më pas, në tekst fillojnë fyerjet me emra të përveçëm, ku thuhet se paska edhe nga ata të rinj “idiotë” që janë akoma në BDI, të cilët nuk mund të shohin më larg se hunda e tyre dhe që mendojnë se këtu është gjithçka në rregull. Po ta thoshte autori i këtij teksti të njëjtën gjë në ndonjë nga vendet perëndimore,  do të hante një gjobë fillestare prej disa mijë eurosh, sa për freskim, pastaj edhe mund të rritej gjoba po të ankimohej personi i apostrofuar në lajm. Në vende tjera, të dënojnë me një euro, por edhe po aq fillon e të bëhet ‘çmimi’, ngase njerëzit fillojnë të të konsiderojnë si sharlatan mediatik.

Ndërsa këtu, në vendin tonë të çudirave, mund të thuash çfarë të duash, nuk do t’ia dijë fare askush, se kush kë po e shan. Të gjithë shajnë njëri-tjetrin, me zero argumente. Po ky qenka shtet demokratik, këtu ka liri fjale, jo si në Suedi, Gjermani, SHBA apo Britani, ku sa fillon të fyesh apo cilësosh dikë pa fakte, të fusin gjobën në gojë dhe s’të lënë të flasësh. Kot edhe ato!

Në fund, teksti na kujton se Liridona Vejseli paska bërë foto më kryetarin e partisë dhe ky fakt paraqitet si të ketë ndodhur ndonjë skandal i paparë. Me pak fjalë, në tekst gëlon urrejtja për një subjekt politik, e të mos flasim për seksizmin dhe stereotipet gjinore që janë mëlmesa që shtojnë joprofesionalizmin dhe punën në kundërshtim me rregullat etike.

Nuk kemi hallin se kush kë urren, por problemi është se njolloset gazetaria duke shkelur të gjitha parimet e mundshme për një diskurs të dinjitetshëm publik. Dhe, e keqja është se përgjegjësi apo zgjidhje të qëndrueshme për këto shkelje që po ndodhin çdo ditë, nuk ka. As që është ngritur ndonjëherë me gjithë mend si shqetësim nga autoritetet apo edhe nga vetë opinioni, edhe pse instrumente juridike ekzistojnë. Por, ajo që sjellja e tillë te mediat elektronike gjeneralisht nuk dënohet, nuk do të thotë se sjellja e tillë duhet të bëhet e pranueshme. Urrejtja dhe fjalori nxitës dhe fyerës në diskursin publik duhet të luftohen vazhdimisht nga gazetarët profesionistë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button