Arrestimi i Kelmendit, MPJ i dërgon notë proteste Serbisë

Pasi që Gjykata e Beogradit i ka shqiptuar Hilmi Kelmendit 30 ditë paraburgim, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka nisur një notë proteste ndaj autoriteteve serbe, njofton, Indeksonline.

Bashmir Xhemaj, zëdhënës i MPJ-së, i ka konfirmuar “Indeksonline” thotë se MPJ është duke e përcjellë rastin dhe se nota e protestës është dërguar.

“Kemi nisur një notë proteste ndaj autoriteteve të Serbisë dhe jemi në kontakt me autoritetet atje dhe me personat tjerë për ta përcjellë rastin. I kemi kërkuar mbështetje edhe vendeve në Bruksel edhe vendeve tona partnere”, është shprehur ai.

LEXO: MPJ dënon arrestimet e fundit të shtetasve të Kosovës

Kurse juristi Tomë Gashi, në anën tjetër, thotë se fletarrestet në bazë të të cilave Serbia po i arreston ish-pjesëtarët e UÇK-së janë politike dhe nëse ekziston dyshimi mbi këta persona për krime lufte, EULEX-i duhet t`i hapë rastet në Kosovë e të mos lejohet arrestimi i tyre në Serbi.

“Gjithmonë ka ekzistuar zyra ndërlidhëse mes UNMIK-ut me Serbinë me autoritetet juridike serbe dhe ka ekzistuar e ekziston zyra mes EULEX-it mes autoriteteve juridike serbe. Kështu që çdo institucion ndërkombëtar që në këtë rast është EULEX-i mund t`i marrë rastet e personave që mund të jenë të dyshuar dhe eventualisht të hapen rastet në Kosovë për qytetarët e Kosovës e jo që të lejohet që në dyshim të autoritetit të Serbisë të arrestohen në Serbi. Ata thjeshtë nëse duhet, duhet të arrestohen në Kosovë e jo në Serbi”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Gashi ka thënë se kur ishin në pyetje Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Agim Çeku, ishin ndërkombëtarët ata që i liruan, andaj edhe për këta civilë duhet të ndërmerren masa.

“Kur ata vet kanë qenë në pyetje si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Agim Çeku, gjithmonë ndërkombëtarët i kanë liruar dhe kështu duhet të kërkohet për këta civilë të thjeshtë të cilët pa marrë parasysh a kanë qenë ushtarë të UÇK-së apo jo, janë duke u trajtuar si të tillë dhe janë duke u trajtuar si terroristë në territorin e Serbisë”, ka shtuar tutje Gashi.

Sipas tij, këso lloj arrestimesh ka pasur që nga viti 1999 dhe do të vazhdojnë deri sa nuk bëhet trysni te ndërkombëtarët që fletarrestet për ish-pjesëtarët e UÇK-së të mos trajtohen nga ana e Serbisë.

Ndryshe, Hilmi Kelmendi nga Gjakova është personi i dytë që u arrestua nga autoritetet serbe, kurse Nehat Thaçi ishte arrestuar më 29 shtator deri sa po shkonte në Nish të Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button