Interkonjeksioni Shqipëri- Maqedoni, Rama: Ndihma gjermane është e para

Kryeministri Edi Rama thotë se Gjermania është një partner i pazëvendësueshëm në një rrugë të vështirë.

Deklarata e tij u bë sot nga Kryeministria, gjatë firmosje së marrëveshjes mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Shqipërisë për pjesën e dytë të financimit të projektit “Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri- Maqedoni”.

Kreu i qeverisë e cilësoi projektin si të një rëndësie të veçantë, duke shtuar se Gjermania ka dhënë një kontribut fantastik, transmeton NOA.

“Por një nga xhevahiret më të shkëlqyer është kontributi i Gjermanisë për linjën e interkonjeksionit me Kosovën, një autostradë energjie jo vetëm për rritjen dhe diversitetit të energjisë, duke u vendosur në raport komplementar Shqipëria dhe Kosova por edhe në funksion të tregut rajonal. Ne çojmë më tutje projektin tjetër të interkonjeksionit me Maqedoninë, i cili është një lidhje tjetër energjetike nga Turqia, Bullgaria, Maqedoni dhe Shqipëri”, u shpreh Rama.

Sipas tij, ndihma gjermane është para dhe në volumin e parave e vendos Gjermaninë si një donator të pazëvendësueshëm, por mbi të gjitha është dije dhe kulturë administrimi.

Aui tha më tej se ka qenë një kohë jo para shumë vitesh që në Shqipëri mendohej se ishim të dytët pas Gjermanisë si një “luan i vogël” i ekonomisë, por Rama shtoi se beson, se kemi vite dritë larg Gjermanisë, duke thënë se shpreson të përfitojmë nga drita e diturisë.

“E vetmja gjë që duam është t’ju mundim në futboll. Më shumë se kaq nuk mund të arrijmë asnjëherë. Edhe nëse nuk ju mundim, në skuadrën tuaj ka shqiptarë. Gjermania ka fanellë hijerëndë. Në këtë bashkëpunim bilateral, Shkodran Mustafi ka fuqinë e interkonjeksionit, ose më shumë se kaq”, tha ai duke qeshur.

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë firmosën sot pjesën e dytë të marrëveshjes për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”. Në total, huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion euro.

Projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabullit nënujor me Italinë.

Po sot, mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunimin financiar 2011-2013-2014, për Projektin: “Program për menaxhimin e Mbetjeve”, si dhe për Projektin “Program Menaxhim të Mbetjeve 2”.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Hans Joachim Fuchtel, Sekretar Shteti i Gjermanisë, u shpreh ndër të tjera se Gjermania është donatori më i madh bilateral i Shqipërisë. “Bëhet fjalë për një shumë 85 milionë euro që do të jepen për bashkëpunimin e dy viteve të ardhshme,” deklaroi Hans Joachim Fuchtel, duke nënvizuar përkujdesjen e vetë kancelares federale Angela Merkel në këtë bashkëpunim. “Dëshiroj gjithashtu t’i referohem edhe Konferencës së Ballkanit Perëndimor të këtij viti dhe të nënvizoj sërish se Gjermania është e gatshme të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të mëtejshme drejt Bashkimit Europian dhe ta mbështesë Shqipërinë në zbatimin e reformave të nevojshme drejt këtij qëllimi,” theksoi ndër të tjera Sekretari Joachim Fuchtel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button