Përfundon protesta – të hënën protestohet sërish (VIDEO)

Përfundon protesta – të hënën protestohet sërish

(I freskuar) – Ka përfunduar edhe për sot protesta e studentëve të pakënaqur me zhvillimet e fundit në Universitetit publik të Prishtinës.

Studentët kanë deklaruar se, pavarësisht dhunës që po ushtrohet ndaj tyre, ata nuk do të ndalen, madje kanë thënë se e gjithë kjo gjendje vetëm sa po i bën ata edhe më të vendosur në kërkesat e tyre, transmeton Koha.net.

Protesta e ardhshme, ndërkaq, sipas organizatorëve, do të mbahet ditën e parë të javës së ardhshme, duke filluar në ora 12 në po të njëjtën vend.

15:25 33 protestues të arrestuar, 29 policë të lënduar. Policia e Kosovës theksoi se me çdo kusht është munduar t’i shmanget provokimeve. Sipas Policisë përdorimi i mjeteve të tyre ka qenë në proporcion me situatën. Raportohet për 29 policë të lënduar dhe 33 protestues të arrestuar.

14:40 – Policia e Kosovës ka filluar përdorimin e gazlotësjellësit për të shpërndarë protestuesit, pasi këta filluan përdorimin e ujit, ngjyrës dhe qumështit në drejtim të policisë. Turma ka filluar të shpërndahet pas përdorimit të gazlotësjellsit nga Policia.

14:30 – Policia e Kosovës raportohet se ka arrestuar disa protestues. Ndërkohë që disa prej tyre thuhet se janë keqtrajtuar nga Policia pas arrestimit. Raportohet edhe për policë të lënduar.

14:23 Studentë protestues aktualisht po i hedhin policisë ujë, ngjyrë dhe qumësht. Studentët po kërkojnë nga Policia që t’i lejojnë të hyjnë brenda oborrit të Rektoratit.

14:05 – Përleshen Policia dhe studentët, tensionohet situata. Policia e Kosovës dhe studentët sërish kanë filluar përleshje, derisa studentët janë duke tentuar që të hyjnë brenda oborrit të Rektoratit.

13:44 – Sigurimi i Rektoratit ndihmon Policinë në arrestime. Për shkak të situatës së krijuar vërehet prani më e madhe e auto-ambulanteve, ndërkohë që është parë që edhe punëtorë të sigurimit të Rektoratit kanë ndihmuar Policinë e Kosovës për të arrestuar studentët.

13:33 Policia e Kosovës sërish ka filluar përdorimin e sprejit për t’i larguar studentët të cilët po tentojnë të hyjnë në oborrin e Rektoratit të UP-së. Në afërsi të protestuesve vërehet edhe prania e auto-ambulanteve.

13:18 – Ndërkaq, në tentim për të hyrë brenda studentët, Policia ka filluar t’i tërheqë zvarrë protestuesit. Raportohet për protestues të arrestuar. Studentët po brohorasin “Policia jashtë”, “Jo diktaturë, universitet”, “Mos e shkelni ligjin”.

13:15 –Policia e Kosovës është duke iu drejtuar studentëve, duke kërkuar nga ata që të mos hedhin gjësende në drejtim të tyre.

13:10 – Studentët protestues dhe Policia kanë filluar të përleshen, pas tentimit të studentëve për të hyrë brenda oborrit të Rektoratit. Polica ka filluar edhe përdorimin e sprejit për ta larguar masën.

13:04 – Zogiani tha se ata po frikësohen se njerëzit e arsimuar, të cilët janë të pakënaqur do të bëhen orteku që do t’i largojë nga pushteti.

13:00 – Në protestë është i pranishëm edhe Avni Zogiani nga shoqëria civile, i cili deklaroi se partia në pushtet nuk po e lejon rektorin Ibrahim Gashi të ofrojë dorëheqje.

/Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button