Prokuroria mbyll dosjen e Kreshnik Spahiut, u akuzua për shpërdorim detyre dhe korrupsion

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen e kreut të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, akuzuar në mars të vitit 2012 nga Kuvendi për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, ka akuzuar Spahiun, gjatë kohës që ky i fundit mbante postin e nënkryetarit, për dhënie rroge prej një viti për Sali Shehun, pa qenë punonjës i institucionit.   Duke iu referuar raportit 11 faqesh të komisionit, të dy viteve më parë, thuhej se Spahiu ka devijuar nga institucioni kushtetues duke u shfaqur në rolin e organizatorit të veprimtarive të Aleancës Kuq e Zi, ka shpërdoruar postin, ka trajtuar politikisht ligjin e Censusit dhe çështjen e ndryshimit të kombësisë, duke tentuar të cenojë marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Raporti konstatonte se ish-nënkryetari i KLD ka abuzuar me detyrën me vendimmarrjet në KLD dhe ka zvarritur çështje të organizmit gjyqësor. Raporti evidentonte gjithashtu, se Spahiu ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit. Por, një ditë pas akuzave ndaj Spahiut, Aleanca Kuq e Zi ka deklaruar se Berisha dhe Topalli kërkonin t’i bënin gjyq nacionalizmit shqiptar.

“Prej dy ditësh kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila njëkohësisht është edhe gruaja e parë e Partisë Demokratike, i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën për procedim penal për kreun e Aleancës Kuq e Zi, zotin Kreshnik Spahiu, me akuzën agjitacionit dhe propagandës, kundër pushtetit të qeverisë së Sali Berishës, si dhe për krimin e rëndë të mërzitjes së diplomacisë greke me pasoja të rënda në pushtetin e zotit Berisha dhe dobësimin e marrëdhënieve me qeverinë simotër greke, zonja Topalli kërkon izolimin e liderit të Aleancës Kuq e Zi. Zoti Berisha dhe ju zonja Topalli nuk mund ta prangosni as Kreshnik Spahiun dhe as kauzën kuqezi. Kjo është vepra që mund të gatuajë një pushtet i zi, i cili ka 22 vjet që ka privatizuar shtetin”, ka deklaruar zëdhënësja e AKZ. Sakaq, pushimi i hetimeve nga Prokuroria e Tiranës për Kreshnik Spahiun, i është komunikuar edhe KLD. 

Lajme të ngjashme

Back to top button