Ngjela: Maqedonia do të shpërbëhet, do apo jo Putini
Avokat Spartak Ngjela beson se Maqedonia do të shkojë drejt shpërbërjes si pasojë jo vetëm e kërcënimit rus për të zgjeruar politikat e tij në Ballkan.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Ngjela shkruan se Gruevski kërkon të mbijetojë politikisht falë Rusisë, transmeton GazetaShqip.
“Gruevski, kryeministri i inkriminuar i Maqedonisë, është i pari kryeministër i korruptuar ballkanik që po kërkon të mbijetojë politikisht me anë të Rusisë. Në fakt kjo është metoda e të gjithë banditëve në pushtet që i ndëshkon vendosja e një shteti të drejtë demokratik”.
Ngjela bën një paralelizëm edhe me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta: “Edhe Meta, në Kinë shkoi, për t’i shpëtuar ndëshkimit për vjedhjet masive që ka bërë në Shqipëri. Na bëri për të qeshur, neve, por edhe amerikanët. Po shqiptarët çdo bëjnë në Maqedoni? Kancelarja gjermane, Merkel, që po viziton Ballkanin, nuk pranoi të shkojë në Shkup. Po liderët shqiptarë të Maqedonisë? Edhe ata të korruptuar janë. Po shqiptarët e Maqedonisë? Ata po presin shpërbërjen e Maqedonisë. Dhe shenjat janë që ajo do te vijë, duan apo nuk duan rusët e Putinit”.