Basha paralajmëron bojkot: Kuvendi po kthehet në gijotinë

Partia Demokratike paralajmëron bojkotimin e Kuvendit. Kreu i saj, Lulzim Basha ka kërcënuar me një hap të tillë pas refuzimit nga Konferenca e Kryetarëve të kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor për emërimet në Policinë e Shtetit.

“Nuk mund ta përcaktojnë ata të drejtën e opozitës për Komision Hetimor, që ia njeh Kushtetuta”, u shpreh Basha. “Opozita ka përcaktuar politikën në Kuvend, por nëse ai do të katandiset në gijotinë të ligjit e Kushtetutës, opozita nuk do të harxhojë asnjë ditë për t’u bërë fasade e kësaj masakre, por do të jetë për e bashkë me qytetarët.”

Nga ana tjetër, kreu i PD-së i bëri thirrje mazhorancës të dëgjojë apelin e SHBA-ve për të bashkëpunuar me opozitën. “Aleati i madh ka kërkuar të gjejë mënyrë për bashkëpunim me opozitën, konteksti i kësaj këshille lidhet me refuzimin e statusit kandidat, që është për shkak të konflikteve të qeverisë Rama-Meta me opozitën”, shtoi Basha.

Sipas tij, integrimi nuk kryhet vetëm me mazhorancën, por kërkon bashkëpunimin edhe të opozitës.“Rama e Meta duhet ta dinë se nuk shkohet në Evropë me arrogancë duke goditur konsensusin, Kushtetutën dhe duke hedhur në erë urat e bashkëpunimit me opozitën. Nuk shkohet në Evropë kundër opozitës, por shkohet me të”, ka përfunduar kreu i PD-së./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button