Mungesa e ujit në Studeniçan, Lëvizja BESA akuzon Sadikun, ai i hedh fajet tjetërkund

Lëvizja Besa sot ka reaguar në lidhje me mungesën e ujit në Komunën e Studeniçanit, duke akuzuar se gypat e ri janë instaluar, por akoma nuk janë lëshuar në përdorim për shkak të “mos-angazhimit serioz të udhëheqësve komunal aktual dhe ish – funksionarëve të  BDI-së në Komunën e Studeniçanit”, njofton Portalb.mk.

I kontaktuar nga Portalb.mk, kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, fajin e hedhë te Qyteti i Shkupit, pasi që sipas tij, gypat dhe rezervuari i ujësjellësit janë rinovuar, por tani duhet që Ndërmarrja Publike për Ujësjellës dhe Kanalizim t’i kyçë banorët në ujësjellësin e ri.

“Një kohë të gjatë janë bërë disa renovime të rrjetit sekondarë të ujësjellësit dhe renovimi i rezervuarit të ujit, por tash ka mbetur faza për kyçjen, të cilët duhet ta bëjë Ndërmarrja Publike e Qytetit të Shkupit për Ujësjellës dhe Kanalizim. Ata tërë kohën arsyetohen se janë duke bërë punë tjera dhe thonë që do të rregullohet sa më shpejtë që është e mundur. Megjithatë ne vazhdojmë të dërgojmë kërkesa edhe me shkrim edhe me gojë për t’u rregulluar çështja në fjalë”, arsyetohet Sadiku për Portalb.

Portalb, ka kontaktuar me përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit, të cilët na kanë premtuar se do të na japin shpjegim për çështjen në fjalë.

Megjithatë, Lëvizja Besa, thotë se kryetari  aktual i Sadiku, pati premtuar që këtë problem do ta zgjidhë, por tani edhe mandate i tij kur përfundon, problemi i ujit për pije në Studeniçan mbetet problemi kryesor jetësor për banorët e këtij vendbanimi.

“Ky problem është stërzgjatur dhe banorët vazhdimisht kanë problem me ujin e pijshëm. Për një fshat me mbi tetë mijë banorë, ndërprerjet e shpeshta me orë dhe ditë të tëra të ujit janë absurde. Lëvizja BESA – Karshiakë e dënon ashpër sjelljen e papërgjegjshme të autoriteteve qeveritare e komunale, me ç’rast kërkon që menjëherë udhëheqësit komunal ta rregullojnë këtë problematikë, e cila është primare për banorët e Studeniçanit . Nëse Komuna e Studeniçanit arsyetohet se nuk ka mjete për zgjidhjen e problemit për ujë të pijshëm të një pjese të Studeniçanit, atëherë le të tregojnë publikisht se nuk mund të zgjedhin problemet e banorëve, kështu do të angazhohemi ne në rrugë tjera për të sanuar këtë problem”, thonë nga Lëvizja BESA.

Përndryshe, rikujtojmë se para një viti u renovua tërësisht rrjeti i ujësjellësit në Studeniçan. Që atëherë, kryetari i Studeniçanit, Sadiku, u premtoi qytertarëve se tani e tutje do të eliminohen problemet që kanë qenë prezente për disa pjesë të fshatit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button