Erdogan: E vlerësojnë Turqinë me direktiva politike të të tjerëve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbajtur sot një fjalim në Kompleksin Presidencial në Ankara me rastin e ceremonisë së projektit të financimit të komplekseve spitalore spitaleve të qyteteve Izmir dhe Kocaeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij Presidenti Erdoğan ka deklaruar: “Nga muaji i ardhshëm besoj se do të fillojmë me inaugurimin e spitaleve tona të qyteteve. Sipas planifikimeve tona në vitin 2019 të gjitha spitalet e reja në qytete do të jenë funksional. Normalisht, ne kemi synim që të ndërtojmë spitale të atilla në mënyrë që pacienti, i sëmuri të mos mbesë në karrocat e transportimit dhe të shëtisin sa andej këtej, por të kenë të gjitha shërbimet në një vend. Duam që fëmijët tanë të mos shëtisin me karrocat e transportit sa në një godinë në një tjetër. Në shumë spitale këtë sukses e arritëm, por tani kemi kaluar në një fazë akoma më të zhvilluar dhe përpjekja jonë është për ta çuar sistemin e shërbimit në një fazë shumë më të mirë.”

Ai ka shtuar se në muajin mars është realizuar një takim me firmën General Electric e cila është 5 për qind aksionere e këtij projekti.

Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij tha se projektet kapin vlerën e 1.4 miliardë dollarëve, ku 1.1 miliard dollarë është akorduar nga burimet e jashtme, ndërsa pjesa e mbetur nga burime vendase. Në fjalën e tij ai ka theksuar se kompleksi spitalor i qytetit Kocaeli do të jetë me një kapacitet prej 1.180 shtretërish dhe do përbëhet nga 6 spitale të ndryshme. Presidenti ka thënë gjithashtu se projekti i kompleksit spitalor të Izmirit do të ketë një kapacitet prej 2.060 shtretërish dhe do të përbëhet nga 6 blloqe të ndryshme.

Duke vënë theksin tek vlerësimi i institucioneve të huaja për Turqinë, Presidenti Erdoğan është shprehur: “Projektet në fjalë financohen nga burime private të jashtme. Por këto financime ndikojnë shumë pak tek institucionet ndërkombëtare të vlerësimit të ekonomisë të cilët i bëjnë këto vlerësime me direktiva politike. Këto institucione vlerësojnë Turqinë me kërkesë të të tjerëve. Më vjen keq, por asnjë nga këto vlerësime nuk ka të bëjë me realitetin në Turqi. Aktorët e vërtetë të tregut nuk shikojnë vlerësimet politike, por gjendjen reale të ekonomisë. Për këtë arsye në projekte të tilla nuk kemi asnjë lloj problemi. Turqia tregon gjithmonë që është një vend ku mund të investohet, me ruajtjen e kujdesshme të stabilitetit dhe sigurisë në vend. Ngjarja e sotme është një tregues i qartë i kësaj.”

Duke theksuar se në këtë mënyrë Turqia do të jetë aktor i rëndësishëm në rajon dhe në botë, Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij tha se synimi i tyre është të kthejnë Turqinë në një nga 5 qendrat shëndetësore më të avancuara në botë. Në Turqi ka 141 mijë doktorë, ndërsa në fakultetet e mjekësisë 71 mijë studentë, tha Presidenti Erdoğan.

“Jemi në përpjekje për të rritur këto kapacitete. Përmes aplikimeve dhe programeve të ndryshme ne jemi duke u përpjekur edhe për zhvillimin të mëtejshëm të doktorëve dhe në këtë mënyrë do të rrisim cilësinë e shërbimeve njerëzore. Ne kemi mbi 100 mijë studentë të cilët mësojnë për tu bërë ndihmës mjekë. Ashtu sikurse në çdo fushë edhe në fushën e mjekësisë ne do të vazhdojmë më vendosmëri drejt synimeve tona për vitin 2023. Kur themi këto normalisht që marr parasysh edhe vështirësitë duke u nisur nga pozita gjeografike e vendit tonë dhe gjendja e rënduar e rajonit. Ajo që nuk kuptojnë apo nuk mundohen të kuptojnë një pjesë e perëndimit është se Turqia është një vend që edhe pse në vështirësi dhe në një rajon ku ka probleme vazhdon dhe ka një potencial për të mos lënë mënjanë projekte të tilla të mëdha. Edhe pse ka krizë, edhe pse në të katërta anët ka luftë, ne jemi një shtet i cili është fokusuar tek synimet dhe vazhdon rrugën drejt realizimit të tyre. Veçanërisht në saje të një politike dhe pune në 14 vitet e fundit, ne kemi arritur që me stabilitetin dhe sigurinë e arritur ti bëjmë ballë të gjitha vështirësive të brendshme dhe të jashtme. Nëse nuk do të kishim këto reflekse mbrojtjeje, problematika do të ishte edhe më e madhe”, ka shtuar Erdoğan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button