Çitaku: Liberalizimi i vizave po ecën mirë

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë të martën se nuk ka ngecje në procesin e liberalizimit të vizave për shtetin e Kosovës, përkundrazi ka thënë se ky proces është duke ecur me dinamikën e paraparë.

“Procesi i liberalizimit të vizave është duke ecur sipas dinamikës që e kemi paraparë dhe misionet vlerësuese janë ato që do ta vlerësojnë progresin në zbatimin e kritereve”, ka thënë Çitaku në një intervistë për “Epokën e re”. Në këtë kontekst, ministrja Çitaku e ka quajtur befasuese deklaratën e eurodeputetes Ulrike Lunaçek se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën edhe dy apo tre vjet.

“Nuk e quaj goditje, më shumë befasi, pasi pikë së pari mendoj se është nxjerr jashtë kontekstit deklarata e znj. Lunaçek. Po ashtu, mendoj se ka qenë befasuese, pasi kësi vlerësimi nuk ka dhënë Komisioni Evropian, i cili është kompetent për ta vlerësuar progresin e arritur”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka thënë deklarata e Lunaçekut nuk e paraqet gjendjen faktike. “Jo, nuk besoj se e paraqet gjendjen faktike, pasi vlerësimet tona janë të rregullta dhe ato tregojnë progres në të gjitha blloqet dhe fushat për liberalizim të vizave. Unë nuk dua të flas me data, por datat që janë përmendur nga deklarata e znj. Lunaçek nuk besoj se qëndrojnë edhe pse, siç thashë më herët, jam e sigurt se janë nxjerrë nga konteksti dhe këtë do ta qartësoj edhe me znj. Lunaçek në takimin e radhës që do ta kem në ditët në vijim”, ka deklaruar Çitaku.

Ministrja Çitaku ka folur edhe për ecurinë e procesit të negocimit të MSA-së, duke bërë me dije se takimi i tretë i kryenegociatorëve do të mbahet në pranverë.

“Presim që takimi i tretë i kryenegociatorëve të mbahet në pranverë të vitit 2014. Kjo do ta shënojë edhe përfundimin e procesit negociator dhe inicializimin e MSA-së. Pas përfundimit të procesit negociator dhe inicializimit të MSA-së, teksti i MSA-së do ta fillojë procesin zyrtar të miratimit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Çitaku.

Pavarësisht kritikave të fundit, Çitaku ka thënë se nuk ka rrezik të prishjes së konsensusit sa i përket agjendës evropiane. “Agjenda evropiane është agjenda më konsensuale në Kosovë dhe nuk shoh asnjë arsye mos të mbetet e tillë”, ka vlerësuar Çitaku.

Lajme të ngjashme

Back to top button