Ministri Hoxhaj në Mynih, flet për potencialet investuese në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme, si dhe qeverisë së këtij shteti. Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe përfaqësues të vendeve të rajonit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga MPJ bëhet e ditur se në fjalimin e tij gjatë këtij forumi Hoxhaj tha se Kosova është duke punuar intensivisht në dy procese paralele që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të saj.

Ai theksoi se këtu bën pjesë pjesëmarrja dhe prezantimi i potencialeve në forume ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit përfshirë edhe këtë që aktualisht po mbahet si dhe në kuadër të Procesit të Berlinit ku deri më tani Kosova ka përfituar disa projekte të rëndësishme.

Ai shtoi se së dyti, Kosova në axhendën e saj bilaterale ka takime të veçanta me shtete ku vazhdimisht promovon diplomacinë ekonomike dhe në fokus janë organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike.

“Institucionet e Kosovës janë duke punuar intensivisht për zhvillimin ekonomik të shtetit tonë. Aktualisht janë dy procese paralele me prioritet që edhe ne si MPJ po i shtyjmë përpara. E para është puna në forume të përbashkëta ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit dhe me përkrahjen e BE-së dhe qeverive të tjera për të përfituar projekte të përbashkëta. Në anën tjetër, në axhendën bilaterale kemi takime veç e veç me shtete për promovimin e investimeve direkte në Kosovë dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shteteve, ku prioritet është organizimi i forumeve të përbashkëta”, ka thënë Hoxhaj.

Pas takimeve që do t’i zhvillojë në Mynih, Hoxhaj së bashku me ministrin Bushati do të përurojnë në hapjen e Konsullatës së përbashkët Kosovë-Shqipëri në Mynih të Gjermanisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button