TV-ditari: Partitë prezantohen në mënyrë të barabartë, Tosheja nuk duhej të përzihej në qërimin e hesapeve me MDAM-në

[Analizë kritike e TV-ditarit të “Kanal 5” në orën 18 më 16 tetor 2016]

Ditari qendror televiziv i TV “Kanal 5” që u emitua më 16 tetor, marrë në përgjithësi ishte ditar siç do të dëshironin ta shihnin shikuesit, mirëpo me disa mangësi të vogla. Blloku i lajmeve politike iu kushtua vetëm dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, dhe ai ishte i ndarë në mënyrë të barabartë për të dyja palët. Munguan disa lajme aktuale të ditës, ndërsa emri i Toshe Proevskit u përdor për qërimin e hesapeve ndërmjet televizionit dhe MDAM-së në lidhje me ndalesën nga ana e kësaj shoqate që të emetohet muzikë maqedonase në qoftë se televizionet nuk paguajnë për të drejtat autoriale

Shkruan: Аna Anastasovska

Ditari televiziv filloi me lajmin për ngjarjen më aktuale politike të ditës, gjegjësisht tubimin e madh të VMRO-DPMNE-së, që u mbajt në QSR “Boris Trajkovski”, e ku fjalim mbajti lideri i partisë, Nikolla Gruevski. Kësaj ngjarjeje iu kushtuan tre kronika, të cilat ishin fragmente nga fjalimi i Gruevskit, e poashtu kishte edhe inkuadrim të drejtpërdrejtë nga sallа.

“Për hajr zgjedhjet” ishte kronika e parë ku shikuesit kishin mundësi të dëgjojnë një pjesë të fjalimit të Gruevskit dhe në të ishin përfshirë porositë kryesore politike për elektoratin. Pastaj kishte edhe një kronikë “Nga opozita deri në zgjedhje nuk mund të presim diçka më ndryshe”, që iu kushtua porosive të Gruevskit ndaj kundërshtarit politik, LSDM-së. Në kuadër të lajmeve për tubimin e VMRO-DPMNE-së shikuesve iu ofruan edhe informata teknike si për shembull kur ka filluar tubimi, prej cilëve qytete kanë ardhur qytetarët, sa të pranishëm ka pasur në sallë dhe të ngjashme.

Në kontekst të këtyre lajmeve mund të përmendej edhe akuza e opozitës për presionet e shumta që pushteti i ka ushtruar ndaj administratës për të marrë pjesë në tubim. Mu zëvendës-ministri për shoqëri informatike nga radhët e LSDM-së, Аleksandar Kiracovski, një ditë më parë kishte konferencë për shtyp në këtë temë.

Pas kësaj, kishte minuta që iu kushtuan LSDM-së. Edhe për partinë opozitare kishte tre kronika. Në kronikën e parë kishim mundësi ta dëgjojmë dhe ta shohim liderin e partisë, Zoran Zaev, i cili në Strumicë mori pjesë në ngjarjen humanitare me rastin e 16 tetorit, Ditës ndërkombëtare të luftës kundër urisë. Kronika e dytë ishte konferenca për shtyp e zëdhënësit të partisë, Petre Shilegov, i cili nga Demir Hisari pyeti se ku janë investimet e huaja që i ka premtuar Gruevski. Kronika e tretë dhe e fundit në këtë bllok politik ishte informata se disa anëtarë të LSDM-së kanë qenë pjesë e “Garës së biznesit 2016” për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në pjesën politike mungoi lajmi se partia Të Bashkuar për Maqedoninë e mbajti kuvendin e parë qendror pasi lideri i partisë, Ljube Boshkoski, doli nga burgu. Ai paralajmëroi se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe se janë duke u zhvilluar negociata për koalicion me partitë opozitare me orientim të djathtë.

Në këtë bllok mungoi edhe lajmi se MPB-ja ngriti padi kundërvajtëse ndaj truprojes së Zoran Zaevit, Аleksandar Trajkov, i cili gjatë fundjavës ka marrë pjesë në rrahje në një diskotekë në Strumicë. Теlevizioi e trajtoi këtë ngjarje në ditarin televiziv të një dite më parë dhe për këtë arsye duheshte shikusve t’u ofrojë informata të freskëta në lidhje me të.

Pastaj kishte një kronikë e cila e prishi imazhin e mirë me të cilin filloi ky ditar televiziv. Kronika ishte kushtuar nëntëvjetorit të vdekjes së yllit të muzikës maqedonase Тоshe Proeski, mirëpo emri i tij u përdor për qërimin e hesapeve të televizionit me MDAM-në në lidhje me ndalesën e kësaj shoqate për të emetuar muzikë maqedonase nëse televizionet nuk paguajnë për të drejtat autoriale. Zënka ndërmjet televizioneve dhe MDAM-së nuk është diçka e re, mirëpo kur bëhet fjalë për përkujtimin e një megaylli siç ishte Toshe Proeski, nuk ngjan që emri i tij të vendoset në këtë kontekst dhe të aludohet se “vendimi i paarsyeshëm i MDAM-së ua prishi ditën adhuruesve të tij”. Kjo kronikë ishte komentuese, pa e përfshirë palën e dytë dhe ishte e pahijshme.

Pastaj, vazhduan informata nga rubrika e kronikës së zezë. Shikuesit dëgjuan lajm për “Shpërthim në një shtëpi në Reçicë të Vogël”, për policin e ri i cili vdiq në fatkeqësi komunikacioni në afërsi të Ohrit, si dhe për serinë e tërmeteve në Greqi. Pastaj pati një kronikë për “Seminarin dyditor për përballje me situatat e krizës”, që u mbajt në Veles.

Pastaj, shikuesit kishin mundësi të dëgjojnë disa lajme nga fusha e kulturës dhe në kuadër të kësaj pjese të TV-ditarit pasuan kronikat “Botuesit nga Maqedonia në panairin më të madh të librit në Frankfurt” dhe “Filloi vlerësimi i filmave të festivalit ndërkombëtar Kamera 300″.

Pasuan informata për moto-krosin që u mbajt në Llagovë të Prilepit dhe për fillimin e korrjes së orizit në Koçan. Fundi i këtij TV-ditari u rrumbullakësua me informatat më të reja për parashikimin e motit.

Marrë në përgjithësi, TV-ditari ishte i pasur me informata nga të gjitha fushat dhe kishte kronika që janë me interes publik. Me përjashtim të mangësive të vogla, mund të thuhet se ky TV-ditar ishte në masë të madhe profesional dhe me interes për qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button