Snowden: S’ka shanse për gjykim të drejtë në SHBA

Ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, është shprehur se nuk ka “asnjë shans” që të zhvillohet një gjyq i drejt ndaj tij në SHBA, ndaj dhe nuk ka asnjë plan për t’u rikthyer atje.

Ai shtoi se ligji 100-vjeçar, mbi bazën e të cilit ai është akuzuar, “ndalon mbrojtjen e interesit publik”.

“Nuk ka asnjë mënyrë, që unë të rikthehem në vendlindje dhe të çoj çështjen time në gjykatë”, tha ai në një intervistë online. 30-vjeçari gëzon një azil të përkohshëm politik në Rusi, pas rrjedhjes dhe publikimit të detajeve të programeve të përgjimeve elektronike të SHBA-ve.

Ai tha se parashikimet për mospasjen e një gjykimi të drejtë janë “tepër frustruese”.

“Rikthimi në SHBA, besoj se është zgjidhja më e mirë për qeverinë, publikun por edhe për mua, por fatkeqësisht është e pamundur, përballë ligjeve aktuale për mbrojtjen e informatorëve, të cilat, për shkak të një dështimi në ligj, nuk mbrojnë kontraktorët e sigurisë kombëtare siç jam unë”, tha ai për uebsajtin “Lironi Snowden”.

“Ndoshta, kur Kongresi të vendosë për t’i dhënë fund këtyre programeve, ata do të mund të reformojnë Aktin për Mbrojtjen e Informatorëve, për të gjetur një mekanizëm për të gjithë amerikanët, pavarësisht se për kë punojnë, të përballen me një gjykim të drejtë”.

Në Dhjetor, Snowden dha një mesazh për Krishtlindjen në televizionin britanik “Channel 4 TV”, në të cilën ai bëri thirrje për dhënien fund të përgjimeve masive.

Në një zhvillim tjetër të së enjtes, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Eric Holder, tha për televizionin “MSNBC” se nuk preferon të marrë në konsideratë mëshirën për Snowden.

Holder tha se autoritetet amerikane “do të angazhohen në bisedime” për zgjidhjen e kësaj çështjeje, nëse Snowden do të pranojë përgjegjësinë për rrjedhjen e sekreteve qeveritare. Por, sipas tij, “do të ishte e tepër” të tregoje mëshirë për të. 

Lajme të ngjashme

Back to top button