Nikoliq: Koha të bisedohet ndryshe me Brukselin, për pronë edhe luftohet

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq tha sot se është koha të bisedohet ndryshe me Brukselin dhe që Beogradi të marrë vesh “atë fshehtësi të madhe” se çfarë do të ndodhë në fund të rrugës së Serbisë në drejtim të Bashkimit Europian, përkatësisht nëse do t’i bëhet ultimatum që të njohë pavarësinë e Kosovës e Metohisë si kusht për pranim në Union, transmeton Koha.net raportimin e medieve serbe.

Në një deklaratë për gazetarët në Sent Petersburg, ku mori pjesë në hapjen e konsullatës së nderit të Serbisë, Nikoliq tha se është koha të marrë vesh se çfarë mendon Brukseli për pasurinë e rrëmbyer, duke shtuar se në Perëndim, në botën e kapitalizmit liberal të cilën e ka përqafuar Serbia, prona është e pacenueshme dhe se madje bëhen luftëra kur dikush dëshiron të rrëmbejë territorin ose pronën dhe pasurinë e ndonjë shteti.

Nikoliq ka shtuar se Serbia ka bërë gjest të madh kur ish-republikave, të cilat u shkëputën me forcën e armës, iu lejoi që në procesin e sukcesionit të marrin pjesë në ndarjen e pasurisë së dikurshme të përbashkët, e tash të kërkohet që edhe administrata e Prishtinës të lypë pasurinë, edhe pse nuk ka marrë pjesë në krijimin e saj.

“Kjo tash kapërcen forcën time që të flas për këtë thuajse asgjë nuk po ndodh. Mendoj se kjo tejkalon edhe forcën e negociatorëve dhe Serbia, thjesht, nuk do të mund të durojë”, është shprehur Nikoliq duk shtuar se është koha që edhe Kuvendi të marrë raportin rreth kësaj, përkatësisht që Qeveria t’i propozojë edhe ndonjë deklaratë.

Ai ka thënë se kur përfaqësuesit e Serbisë shkojnë në Bruksel për dialog para vetes gjithmonë kanë dy rivalë – përfaqësuesit e Prishtinës dhe BE-në.
“Dhe kjo asnjëherë nuk ka ndryshuar. Vazhdimisht jam ndier keq kur më raportojnë se diçka e jona nuk mund të shkonte sepse nuk përputhet me Kushtetutën e Prishtinës. Po pyetni a ka edhe Serbia kushtetutë ose ligje? Si bëhet që ne vazhdimisht përshtatemi dhe gëlltisim shumë çka, bartim shumë ingerenca shtetërore në krahinë tonë, të vetëdijshëm për faktin se ata flasin pandërprerë se janë të pavarur”, citojnë mediet e Beogradit Nikoliqin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button