Presidenti konsensual dhe zgjedhjet e parakohshme, tema e takimit Ahmeti-Orav

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari Ali Ahmeti, ka pritur Aivo Orav, Ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoni.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Orav diskutuan për aktualitetet politike në vend, përfshirë edhe integrimin EuroAtlantik, zgjedhjen e çështjes së emrit, zgjedhjet presidenciale si dhe për paralajmërimet për zgjedhje eventuale të parakohshme.

Kryetari Ahmeti foli për rëndësinë e madhe që ka zgjidhja e çështjes së emrit jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin dhe vet Evropën andaj dhe ftoi institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe vendet anëtare të BE që ta ndihmojnë arritjen e konsensusit.

Ambasadori Orav shprehu përpjekjet e Bashkimit Evropian për të arritur përparim në realizimin e dialogut të nivelit të lartë midis Shkupit dhe Bruksel sepse kjo do të lehtësonte rrugën e Maqedonisë për integrim në Bashkimin Evropian.

Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, Kryetari Ahmeti ritheksoi qëndrimin për vndosjen e një standardi të ri në Maqedoni për zgjedhjen e një Presidenti konsensual që do t’i përfaqësojë të gjithë bashkësitë etnike në vend dhe do të jetë i përqëndruar për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Kryetari Ahmeti theksoi se BDI-ja, akoma nuk ka biseduar për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve parlamentare edhe pse partia është e gatshme që në çdo çast të hyjë në garë me partitë e tjera. Bashkimi Demokratik për Integrim do të analizoj hollësisht të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proçes dhe do të sjell vendim i cili do të jetë në të mirën e qytetarëve dhe të vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button