Sharlatanët që krijojnë kombe

Për kllapën e Kosovës, për kllapën e sharlatanëve që formojnë kombe me idetë e tyre pjellore kam shkruar që para 6 vitesh, atëherë kur filluan të merrnin hovë bollanot shumfytyrësh.

Sot, sot kur më Kosova ka filluar të ndjejë pak aromë shteti, zërat e tyre jehojnë, pelin vjellin gjithandej të mençurit e shtetit të ri, s’e kanë më Shqipërinë nënë, e lëshuan dorën me të cilën jemi mbajtur përgjatë shekujve, në të mirë e në të keq, në të gjitha stinët e stuhitë që kemi përjetuar ne si popull. Po distancohet nga gjithçka që ishte e pandashme.

Ishin pak halilmatosha para disa vitesh që ushqenin këtë ide të gatuar në kuzhinat  në të cilat hanë e paguhen ashiqare, tani po shtohen. Ishin të paktë në numër lehjet, tani duan që ta ndalin karvanin, janë turrur keq, janë egërsuar…, por ama fatmirësisht nuk e përfaqësojnë vullnetin e dy milionë banorëve shqiptarë që jetojnë në Kosovë. Ata thjesht janë manipulator të mirëpërgaditur që mundohen të krijojnë terrene për llomotitje lirshëm, por ama zgjebja e tyre nuk shërohet me këtë lloj diskursi…, as kombi nuk dyzohet, as halli nuk u zgjidhet, e as nofka që do e mbajnë me shëndet historikisht.

Sa për t’ua kthyer memorien atyre që projektojnë kombe duhet përmendur ky fakt:
Kosova është shteti më i ri. Për të luftuan bijtë më të mirë të kombit që “atëherë ishte vetëm NJË”, nga të gjitha trevat, nga të gjitha anët, sepse kishin një ideal, çlirimin e saj nga okupatori dhe shkrirja në një shtet të vetëm, ëndërr kjo që u trashëgua ndër shekuj e që sot ka filluar t’i trishtoj zbuluesit e kombeve.

Është fakt i pamohueshëm se pa forcën e madhe të ndërkombëtarëve Kosova nuk do të ishte kjo që është, flamuri me yje që nuk përfaqëson asgjë tonën e as himni që nuk e tërqethë trupin  e asnjërit që në vena ka pak gjak shqiptari nuk do të ishin këto që janë. Është fakt se Kosova duhet të ec përpara, por ama nuk e kap logjika e shëndosh, nuk i arsyeton kush kërpudhat që shfaqen për  çdo ditë ekraneve. Të tillë ka pasur në mesin tonë gjithmonë. Padyshim se edhe në të ardhmen do të ketë, përderisa shërbimet e shteteve të ndryshme kanë ndikimin e tyre nëpër shtete, turrja për zullum si puna e kërpudhave të tilla do të jetë e egër.

Për derisa nuk ka një grusht të fortë migjenian e një ligj të fortë që do jetë i pamëshirshëm për kokëkrisurit që krijojnë kombe dhe përçarje, realiteti nuk do të jetë më ndryshe se sot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button