Egjipt, dhuna shtetërore në nivel të paparë

Egjiptianët janë përballur me dhunë shtetërore në një “shkallë të paparë” që kur ushtria përmbysi presidentin Muhamed Mursi në korrikun e vitit të kaluar, ka thënë Amnesty International në një raport të enjten.

Autoritetet egjiptiane kanë “ bërë shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë Amnesty, duke treguar për arrestime masive, presion mbi lirinë e shprehjes dhe nxjerrjen e ligjit që kufizon të drejtën për të protestuar.

Ky raport doli dy ditë para përvjetorit të tretë të kryengritjes masive që përmbysi Husni Mubarakun në vitin 2011.

Rreth 1,400 njerëz janë vrarë nga dhuna e ushtruar nga autoritetet në Egjipt që kur shefi i ushtrisë Abdel Fatah al-Sisi  rrëzoi Mursin, kryesisht për shkak të “forcës së tepruar nga forcat e sigurisë”, ka thënë grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Raportet nga Egjipti vijn per mbi 4.000 te vrare dhe me shume se 10.000 te plagosur si dhe rreth 25.000 te burgosur.

Më 14 gusht, ditën më të përgjakshme që nga rrëzimi i Mursit, forcat e sigurisë sulmuan grupin e protestuesuesve pro-Mursi në Kajro me bolduzerë, duke përdorur municion të rëndë dhe duke vrarë qindra persona.

Mijëra janë arrestuar, duke përfshirë shumicën e udhëheqësve të Vëllezërve Musliman, të cilët qeveria më 25 dhjetor i shpalli “organizatë terroriste”.

“Forcave të sigurisë u është dhënë liri të veprojnë mbi ligjin dhe pa frikë se do të japin llogari për këto abuzime,” ka thënë Amnesty.

“Në Egjipt kemi parë seri të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe gjatë shtatë muajve të fundit jemi dëshmitar të një dhune të paparë deri më tani,” ka thënë Hassiba Hadj Sahraoui, zëvendës drejtoreshë në Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Aktivistët të cilët shihen si simbole të lëvizjeve të vitit 2011 kundër Mubarak janë burgosur për shkeljen e ligjit të prezantuar në nëntorin e kaluar që i bën të paligjshme demonstratat pa miratimin paraprak të policisë.

“Është duke u zhvilluar  përpjekje e përbashkët  për të shtypur çdo vëzhgues të pavarur, aktivistë, gazetarë, dhe punëtorë të organizatave jo – qeveritare, ” tha Sahraoui./mesazhi

Lajme të ngjashme

Back to top button