Kosova nuk ka qasje në 110 pronat e saj në Serbi

Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi ka thënë se mbi 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjenden në territorin e ish – Jugosllavisë. Sipas tij qasja në këto prona është e vështirë, meqë disa shtete ku gjenden ato nuk e pranojnë autoritetin e AKP-së,njofton gazetaexpress.com.

Sipas një dokumenti të publikuar në muajin mars nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 36, në Bosnjë dhe Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci, në Maqedoni dhe në Slloveni.

Petrit Gashi, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se “Ne i kemi identifikuar mbi 180 prona që janë asete të ndërmarrjeve shoqërore,shumica e tyre gjenden në territorin e ish Jugosllavisë. Ne, legjislacioni na obligon që t’i menaxhojmë, t’i administrojmë, sikurse pronat e tjera që gjenden brenda territorit të Kosovës. Mirëpo, se sa ne arrijmë t’i administrojmë këto, varen se sa pranon autoritetin e agjencisë sonë shteti përkatës”.

Ai ka bërë të ditur se prej tyre, 17 prona i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”. 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.

Por, menaxhimi i tyre deri më tash ka qenë i pamundur, thotë Gashi, për arsye se Beogradi zyrtar nuk njeh autoritetin e AKP-se.

Në Malin e Zi, ndërkaq, qasja në pronat e Kosovës është më e lehtë, thotë Gashi, duke theksuar se një numër nga to kanë kaluar në procesin e transformimit.

Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, më tej ka shprehur se gjatë muajve në vijim do të merren më seriozisht me këtë çështje dhe janë duke shikuar alternativat, se si të rritet mundësia e qasjes në pronat e Kosovës që gjenden jashtë territorit të saj.

“Jemi duke menduar të krijojmë mekanizma të veçantë brenda AKP-së, që të trajtojmë këto asete, sepse janë prona të Kosovës. Dhe më pas të bashkëpunojmë edhe me instancat e tjera, konkretisht më Ministrinë e Punëve të Jashtme”,ka thënë Gashi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button