Lista serbe ngrin punën e saj në Kuvendin e Kosovës
Deputetët e Listës Serbe, të Kuvendit të Kosovës sot mbajtën një takim urgjent në veri të Mitrovicës, ku vendosën që nga sot të ngrijnë punën e tyre në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë e ka bërë të ditur, shefi i grupit parlamentar të kësaj liste, Sllavko Simiç, i cili në një konferencë për media u shpreh se të gjithë përfaqësuesit serbë të Qeverisë së Kosovës do ta mbështesin qëndrimin e kësaj liste, duke theksuar se “në këtë mënyrë do të mbrohet interesi kombëtar dhe pasuria e Serbisë në Kosovë”.
Ai tha se serbët e Kosovës po përballen me një situatë të vështirë. Sipas tij, deputetët e Listës serbe theksuan se nuk njohin asnjë vendim të marrë për Trepçën, e cila u miratua pa u konsultuar me përfaqësuesit politikë të tyre.
Deputetët e kësaj liste gjithashtu theksuan se Kuvendi i Kosovës nëpërmjet këtij “vendimi ilegal” ka shkelur interesat e popullit serb në Kosovë.