Thaçi: Zgjerimi i BE-së të Mbetet në Tavolinë

Në kongresin e Lëvizjes Panevropiane në Vjenë Presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga BE-ja që ta mbajë zgjerimin në tavolinë.

Thaçi në Vjenë në kongresin e Lëvizjes Panevropiane mori pjesë në një panel me presidentët e Shqipërisë dhe Maqedonisë Bujar Nishani e Gjorgje Ivanov ku u fol për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë, Thaçi kërkoi nga BE-ja që “të mbetet e fokusuar në këtë pjesë të kontinentit dhe të sigurojë se zgjerimi të mbetet në tavolinë”.

Ai tha se politika e BE-së për zgjerim i ka ndryshuar për mirë vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Nëse kthehemi mbrapa, shohim se zgjerimi i BE-së ka qenë njëra nga politikat më të suksesshme të BE-së. Ai i ka transformuar shoqëritë dhe vendet dhe i ka bërë ato të lira, demokratike, me prosperitet dhe me paqe,” tha Thaçi sipas komunikatës.

Thaçi në Vjenë foli edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si diçka pa të cilën nuk mund të bëhet integrimi i këtyre dy shteteve në BE.

“Ne duhet të pranojmë se pa një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, asnjëri nga dy vendet s’do të mund t’i bashkohet këtij unioni. Kjo edhe është arsyeja që ne jemi aq të përkushtuar në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë,” tha Thaçi.

Ai e përmendi edhe pamundësinë e kosovarëve për lëvizje pa viza në Zonën Schengen.

“Si rezultat i këtij trajtimi të padrejtë, kosovarët vazhdojnë të mbesin populli më i izoluar në Ballkan,” tha Thaçi.

Sipas Thaçit, angazhimi i BE-së në rajon do të zvogëlojë hapësirat për radikalizëm dhe forca më pak demokratike në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button