Gjykata Supreme kërkon nga Gjykata e Apelit që sërish të vendosë për paraburgimin e Taleskit
Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë e ka pranuar ankesën e PSP-së pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkup në lidhje me masën e paraburgimit shtëpiak për kryetarin e komunës së Manastirit Vlladimir Talevski, ndërsa lëndën e ktheu në rigjykim.
Nga Gjykata Supreme informojnë edhe se dje është pranuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në procedurën për të dënuarin Zvonko Kostovski, të parashtruar nga ana e Prokurorisë Publike për Ndjekje të Veprave Penale të lidhura dhe të cilat rrjedhin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve.
“Parashtruesi, kërkesën e ka parashtruar përmes postës, me dërgesë rekomanduese më 04.10.2016. Në këtë kontekst, Gjykata supreme e Republikës së Maqedonisë nuk ka mundur paraprakisht të veprojë sipas kërkesës siç ishte thirrë në media, sepse e njëjta aspak nuk është dorëzuar deri te gjykata. Menjëherë pas pranimit të kërkesës, gjykata me letër i ka bërë thirrje parashtruesit t’i dorëzojë shkrimet e lëndës gjyqësore. Në këtë drejtim është e nevojshme që palët në procedurë të përmbahen nga nxjerrja e informacioneve jo të sakta në opinion për mosveprimin e Gjykatës supreme të Republikës së Maqedonisë në kohën kur para gjykatës nuk është asnjë procedurë e iniciuar”, qëndron në kumtesën e Gjykatës Supreme.