Përleshje fizike mes anëtarëve britanikë të PE-së

Mësohet se anëtari i Parlamentit Evropian (PE) nga Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), Steven Woolfe, është transferuar në spital pas një përleshjeje që ka ndodhur gjatë takimit mes pjesëtarëve të partisë në Strasburg të Francës, raporton Anadolu Agency (AA).

Lideri i Partisë UKIP i cili njihet për pikëpamjet e tij kundër Bashkimit Evropian (BE) dhe migrantëve, Nigel Farage, në një deklaratë në lidhje me zhvillimet, theksoi se anëtarët PE-së nga UKIP janë transferuar në spitale pas përleshjes që ka ndodhur mes tyre në Strasburg të Francës ku po zhvillonin një takim.

Duke theksuar se gjendja shëndetësore e Woolfe është “serioze”, Farage tha se “Ndihem thellësisht i pikëlluar nga humbja e ndjenjave dhe transferimi në spital i Steven Woolfe, nga mosmarrëveshja që ndodhi gjatë mbledhjes së anëtarëve të PE-së nga UKIP këtë mëngjes.”

Njoftohet se 49-vjeçari Woolfe është dërguar në një spital në Strasburg.

Woolfe dje kishte paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të partisë pas dorëheqjes së drejtueses së deritanishme të UKIP-së, Diane James. Zyrtarë të lartë të UKIP-së, duke folur për mediat britanike, pohojnë se gjatë përleshjes Woolfe është qëlluar fizikisht dhe ka pësuar gjakderdhje në tru. Ndryshe, UKIP ka 24 anëtarë në PE.

– Krizë lidershipi në parti

Liderja e partisë me pikëpamje të djathta ekstreme UKIP, Diane James, dje kishte paraqitur dorëheqjen e saj. 57-vjeçarja James e cila u zgjodh në krye të UKIP-së para 18 ditëve, si arsyetim për dorëheqjen ka dhënë “mospasjen e kompetencave të nevojshme për realizimin e reformave që ka dëshiruar në parti”. James ishte zgjedhur në krye të partisë në kongresin e vjeshtës me 8451 vota.

Pas referendumit për largimin e Britanisë nga BE-ja, kryetari i deriatëhershëm i partisë Nigel Farage i cili kishte qenë nga figurat më të spikatura në fushatën pro shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, kishte dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të UKIP, duke thënë se “ka arritur synimin e tij politik”.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, UKIP kishte arritur të mbledhë katër milionë vote dhe të radhitet si partia e tretë më e madhe pas Partisë Konservatore dhe Partisë Laburiste, megjithatë, për shkak të sistemit zgjedhor, partia kishte arritur të sigurojë vetëm një deputet në parlament.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button