Në Shkup mbahet konferenca nacionale për sektorin e ujërave

Në organizim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot në Shkup u mbajt konferenca nacionale për reformat në furnizimin me ujë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i konferencës është informimi me kohë për proceset reformuese në sektorin e ujërave, bartës i së cilit është Ministria e Mjedisit Jetësor me mbështetje të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Financave.

Në fjalimin e tij në konferencë, ministri i Ambientit Jetësor Bashkim Ameti theksoi se uji si resurs dhe menaxhimi dhe ruajtja e tij, janë me rëndësi të veçantë për njeriun, por edhe sfidë për kohën në të cilën jetojmë.

“Prandaj menaxhimi me ujërat kërkon qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse, ku besoj se organizimi i konferencës së sotme do të jep kontribut. Për Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, menaxhimi me ujërat paraqet prioritet i cili reflektohet në më shumë dokumente strategjike të miratuara nga Qeveria dhe Ministria. Ujërat janë resurs i rëndësishëm që doemos do të duhet të mbrohen mirë dhe të menaxhohen më mirë. Ky vit ishte shumë i rëndësishëm për Ministrinë tonë për shkak se fillojmë me ndërtimin e tre stacioneve të pastrimit, si dhe dy projektet për përmirësimin e rrjetit kanalizues”, theksoi ministri Ademi.

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar në fjalimin e tij tha se Bashkimi Evropian ka si prioritet sektorin e ujit, ku në këtë drejtim ka ndarë një shumë mjetesh.

“Reforma në sektorin e ujërave duhet të jetë një nga prioritetet tona kulmore. Si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian, ndamë 4.5 milionë euro për këtë qëllim, momentalisht po zhvillohen tre projekte të financuara nga BE. Këto projekte kanë për qëllim që të sjellin përmirësim të konsiderueshëm në sektorin e ujërave dhe deri te mirëkuptimi më i madh nga ana e qytetarëve në këto ndryshime. Ndryshimet nuk janë të lehta, por me përkushtim aktiv nga ana e të gjithë palëve të përfshira, mund të jetë më mirë për të gjithë”, tha Zhbogar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button