BE-ja premton 1.3 miliard euro ndihma për Afganistanin

Në Bruksel po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e organizuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe qeveria afgane me qëllim të ofrimit të ndihmës financiare për Afganistanin për të luftuar terrorizmin dhe për zhvillim ekonomik të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën në Bruksel, ku po marrin pjesë përfaqësues të 75 vendeve dhe 25 organizatave ndërkombëtare, përfshirë Presidentin e Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk, presidenti afgan Eshref Ghani dhe shefi i diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu.

Në konferencë gjithashtu merr pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon dhe Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë së Afganistanit njoftuan të pranishmit për vizionet dhe reformat në këtë vend si dhe vazhdimin e ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare në procesin e krijimit të paqes, ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik të Afganistanit.

Kreu i Këshillit Evropian Tusk ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm, BE-ja dhe anëtarët e saj do të jenë donatorët më të mëdhenj në Afganistan.

“Me 1.3 miliard euro do të mbështesim përpjekjet ndërkombëtare dhe lokale për ndërtimin e Afganistanit dhe kështu do të vazhdojmë deri në vitin 2020”, tha Tusk, duke shtuar se mungesa e ndihmës ndërkombëtare do të shkaktonte sërish trazira në Afganistan.

Presidenti afgan Ghani me këtë rast falënderoi udhëheqësit, duke përfshirë presidentët Barack Obama dhe Recep Tayyip Erdoğan, për mbështetje ndërkombëtare të Kabulit zyrtar. Ai shtoi se në bazë të kësaj ndihme, Afganistani ka forcuar sigurinë dhe kapacitetin e tij ekonomik dhe të energjisë.

“Bashkëpunimi është i një rëndësie thelbësore në rajon. Terrorizmi nuk njeh kufij. Nuk mund të bëhet krahasim në mes të terroristëve të mirë dhe të këqinj. Të tregosh tolerancë apo mbrojtje të çfarëdo forme të terrorizmit paraqet kërcënim kundër të gjitha vendeve, jo vetëm për Afganistanin”, ka thënë Ghani.

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry, në fjalimin e tij para të pranishmëve ka theksuar se një test i rëndësishëm  është arritur kohët e fundit me marrëveshjen e paqes me militantët Hikmetyar në Afganistan dhe mbetet të shihet nëse pjesëtarët e këtij grupi do ti përmbahen marrëveshjes që përfshin distancimin e tyre nga të gjitha elementet terroriste dhe militante si dhe respektimin e kushtetutës dhe ligjeve të Afganistanit.

“Lëvizja talebane ende është duke u përpjekur për të testuar vendosmërinë e Qeverisë së Afganistanit, kurse forcat afgane janë duke luftuar me guxim me të gjitha vështirësitë”, tha Kerry.

Konferenca në Bruksel ka për qëllim mbledhjen e katër miliardë dollarëve amerikanë, të domosdoshme për të mbështetur luftën kundër terrorizmit dhe krizën ekonomike në Afganistan, e cila është shndërruar në një arenë krize të thellë gati një dekadë e gjysmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button