Kosovari flet për luftën në Siri

Luftës gati 3 vjeçare në Siri, me qëllim të rrëzimit të diktatorit Bashar Al Assad, i janë bashkangjitur edhe qindra shqiptarë. Me arsyetimin se feja myslimane kërkon përfshirje në Xhihad ose Luftë të Shenjtë, shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia po shpërngulen për në Siri, siç thonë për të dalë në mbrojtje të fjalës së Allahut dhe njerëzve të pafajshëm.
Aktualisht situata në Siri është e paqartë, media të ndryshme ndërkombëtare po raportojnë për luftëra për pushtet mes grupeve të ndryshme. Sipas Lavdrim Muhaxherit, i njohur si udhëheqës i luftëtarëve shqiptarë në luftën e Sirisë, arsyeja se pse janë ndarë në grupe të ndryshme është se grupet kanë interesa të ndryshme nga njëri-tjetri.

“Disa grupe luftojnë për shtet islam e disa të tjerë për shtet demokratik, kurse populli është pro-shtetit islamik”, tha Muhaxheri.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Muhaxheri tha se, numri i shqiptarëve që po marrin pjesë në këtë luftë është shumë i madh dhe se ata janë nga të gjitha anët.
Në pyetjen se a ka rënë numri i pjesëmarrësve kosovarë në këtë luftë për shkak të vrasjeve të fundit të kosovarëve, Muhaxheri tha se pjesëmarrja përkundrazi është rritur ditëve të fundit.
“Përkundrazi shumë e më shumë po dëshirojnë të vijnë këtu për të marrë hakun e vllaznive dhe motrave myslimane, tha ai.

Muhaxheri tha se, Qeveria e Kosovës nuk po bën asgjë për shqiptarët që po dhunohen e po vriten nga ushtria e Bashar Al Assad-it. Ai nuk u përgjigj në pyetjen se kush e bënë dhe si bëhet rekrutimi i kosovarëve për në Siri, sepse, sipas tij kjo pyetje nuk duhet t’iu bëhet muxhahidave por “spiunave” të shtetit.

Krejt në fund ai adresoi një pyetje për Qeverinë e Kosovës: “E kam një pyetje për qeverinë, ata që po mundohen me i ndalë rininë shqiptare me marrë pjesë në këtë luftë që për të ju ndihmuar të pafajshmëve, na tregoni neve se çfarë plane parandalimi keni vendosur për ata shqiptarë që po udhëtojnë për t’iu bashkuar kësja ushtrie?”

Disa muaj më parë, Bashkësia Islame e Kosovës, iu pati bërë thirrje të rinjve kosovarë t’i qëndrojnë sa më larg Sirisë dhe luftës që bëhet atje. Përmes një deklarate për media, ky institucion u ka bërë apel kosovarëve që aktualisht luftojnë në Siri në emër të fesë, që të kthehen menjëherë pranë familjeve të tyre. Sipas kësaj bashkësie fetare, shkuarja në Siri për të luftuar nuk ka asnjë lidhje me parimet fetare islame.

Edhe ministri i Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Enver Hoxha, pati kërkuar masa ligjore që parandalojnë një pjesëmarrje të tillë.

“Ajo, për të cilën ne kemi nevojë, është përtej situatës aktuale, rregullime ligjore që parandalojnë pjesëmarrjen e një qytetari të Kosovës në pjesë të ndryshme të botës në aktivitete luftarake dhe në këtë drejtim ka modele të ndryshme në pjesën perëndimore të botës”, deklaroi Hoxha.

Ende nuk dihet numri i saktë i shqiptarëve që po marrin pjesë në luftën e Sirisë, por është e ditur se deri më tani për lirinë e popullit sirianë ranë 10 shqiptarë, prej të cilëve 4 nga Kosova.

Lajme të ngjashme

Back to top button