FARK përgatitet që ta korrigjojë marrëveshjen paqeruajtëse, që është hedhur poshtë në referendum

Lideri i kryengritësve kolumbianë të FARK-ut, Timoleon Himenes, deklaroi se është i gatshëm ta korrigjojë marrëveshjen paqeruajtëse, që është lidhur me Qeverinë kolumbiane, ndërsa në mënyrë befasuese është hedhur poshtë nga kolumbianët në referendumin e djeshëm

Votuesit kolumbianë refuzuan marrëveshjen historike të paqes me kryengritësit e FARK-ut në referendumin që përfundoi me rezultate shokuese ku 50.24 për qind e popullsisë u shprehën kundër saj.

Marrëveshja u firmos javën e kaluar nga presidenti Huan Manuel Santos dhe udhëheqësi i FARK-ut, Timoleon Himenez, pas gati 4 vitesh negociata. Por që të hynte në fuqi, ajo duhej të ratifikohej nga kolumbianët.

Në një fjalim për kombin, presidenti Santos tha se e pranonte rezultatin, por u zotua të vazhdojë përpjekjet për vendosjen e paqes. Ai sqaroi se armëpushimi aktual vazhdon të jetë i vlefshëm dhe urdhëroi negociatorët të udhëtojnë në Kuba, për t’u konsultuar me përfaqësuesit e FARK-ut për hapat e ardhshëm.

“Nuk do të heq dorë. Do të vazhdoj të përpiqem për paqen deri në momentin e fundit të mandatit tim, pasi kjo është mënyra për t’u lënë fëmijëve tanë një vend më të mirë”, tha ai.

Në të njëjtën linjë qëndrimi ishte edhe udhëheqësi i FARK-ut, i njohur si Timoshenko, i cili tha se grupi mbetej i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës. Gjithsesi kritikat për ata që bënë fushatë për “Jo”-në nuk i kurseu.

“FARK ndien keqardhje të thellë për faktin se fuqia shkatërruese e atyre që predikojnë për dhunën dhe hakmarrjen influencuoi në opinionin e popullit kolumbian”, tha Timoshenko.

Më herët, rebelët ranë dakord të ulnin armët e t’i bashkoheshin procesit politik, pas një konflitki 52-vjeçar. Por kritikët mendojnë se marrëveshja e trajton shumë butë FARK-un, që konsiderohet si një grup terrorist nga SHBA-ja.

Marrëveshja do të lejonte që kryengritësi të shmangnin dënimin me burg, nëse do të pranonin krimet e tyre. Rebelëve u ishin premtuar gjithashtu 10 vende në Kongres për dy zgjedhjet e ardhshme. Rezultati i papritur i votimit nënkupton se procesi i paqes është zhytur tashmë në ujëra të pasigurta.

Konflikti i gjatë me grupin rebel i ka kushtuar jetën 260 mijë personave dhe presidenti Santos ka thënë në të kaluarën se nuk kishte një “plan B” për t’i dhënë fund luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button