Më thuaj se çfarë muzike dëgjon, të të them sa vjeç je

Shijet muzikore ndryshojnë me kalimin e viteve sepse kur rritemi, përballemi me sfida të reja dhe na ndryshon personaliteti. Në fakt, këngët që pëlqejmë tregojnë shumë për ne dhe gjendjen psikologjike ku ndodhemi, gjendje që ndryshon me kalimin e kohës.

Këtë shpjegim ka dhënë Jason Rentfrow i Universitetit të Kembrixhit në një studim të publikuar në ‘Journal of Personality and Social Psychology’. Për këtë studim ai ka grumbulluar preferencat muzikore të 250 personave në harkun e 10 viteve.

“Shumë psikologë thonë se shijet nuk ndryshojnë pasi kalojmë 18 vitet e para të jetës, por nuk isha i bindur për këtë si nga eksperienca personale, ashtu edhe nga disa studime të tjera të psikologjisë. Për këtë arsye, u mundova të kuptoja nëse muzika që pëlqejmë ndryshon me kohën, në përputhje me nevojat sociale dhe psikologjike të ndryshueshme”, shpjegon Rentfrow.

Nga rezultatet del se dashuria për muzikën nis që në adoleshencë. Këtu njerëzit preferojnë muzikën “intensive” (metal), më pas, kalohet tek muzika bashkëkohore (pop ose rap) dhe pas moshës 20-vjeçare pëlqehet R&B ose muzika elektronike.

“Kjo muzikë përforcon nevojën për intimitet dhe është shoqëruese e mirë për situatat ku njerëzit nisin të afrohen me njëri-tjetrin”, thotë Rentfrow.

Në fund, kur njeriu kap moshën e mesme, ndihet nevoja për muzikë qetësuese dhe preferohet muzika klasike ose ajo “blues”.

“Familja dhe puna na marrin shumë kohë dhe kur dëgjojmë muzikë, duam diçka që të na qetësojë dhe nuk e pranojmë dot më muzikën e fortë”, deklaroi Renfrow.

Lajme të ngjashme

Back to top button