Tragjedia siriane: ngurrimi amerikan dhe a mund të tërhiqet Rusia sipas modelit të Afganistanit të viteve `80?

Zyrtarët amerikanë thonë se dështimi i armëpushimit të fundit në Siri e ka rritur mundësinë që shtetet e Gjirit të armatosin opozitën siriane me raketa kundërajrore për t’kundërpërgjigjur sulmeve siriane dhe ruse.

Përpjekja e fundit e SHBA për t’i dhënë fund luftës siriane, e cila po zgjat pandërprerë për pesë vite e gjysmë me radhë, ka dështuar me 19 shtator kur është sulmuar autokolona që po transportonte ndihma humanitare në Siri. Uashingtoni ka fajësuar për sulmin avionët luftarakë rusë, ndërsa Rusia ka mohuar përfshirjen në këtë incident.

Një nga pasojat e dështimit të fundit diplomatik, mund të jetë edhe furnizimi i opozitës siriane me armatim nga vendet e Gjirit apo Turqia, përfshirë raketat anti-ajrore, të cilat janë ndaluar deri më tani nga SHBA-të, transmeton Tesheshi.com

Reuters transmeton pohimet e zyrtarëve amerikanë, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë, se SHBA-të kanë penguar mbërritjen e sasive të mëdha të sistemeve portative anti-ajrore në Siri, për shkak se ka një qëndrim unanim me aleatët perëndimorë dhe vendet arabe që qëllimi është që të trajnohet opozita siriane dhe të pajisen me armatim të këmbësorisë, krahas me vazhdimin e bisedimeve të SHBA-ve me Moskën.

Megjithatë, zhgënjimi në këtë qëndrim zyrtar amerikan është rritur me shpejtësi, dhe për këtë arsye janë shtuar mundësitë që shtetet të cilat janë në aleancë me Uashingtonin të devijojnë nga ky kurs i deritashëm ose të mbyllin sytë karshi furnizimit të grupeve të caktuara opozitare me armë të tilla anti-ajrore.

Një zyrtar tjetër amerikan tha se disa nga vende të Gjirit besojnë se mënyra më e mirë për të bindur rusët që të tërhiqen nga Siria është ajo e Afganistanit para tridhjetë viteve. Pas pajisjes së luftëtarëve afganë me sisteme portative anti-ajrore, është pamundësuar veprimi i forcave ajrore të Rusisë.

Zyrtari theksoi se Uashingtoni nuk ka arritur që të bindë të gjitha palët, për faktin se sicc ka thënë, “rreziqet për këtë sot janë më të mëdha, ngase tashmë nuk kemi të bëjmë me Bashkimin Sovjetik por me liderin rus i cili është i vendosur që të rivendosë pushtetin e Rusisë. Ndaj dhe mundësitë janë shumë të vogla që ai do të tërhiqet”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner është pyetur nëse janë të gatshme SHBA-të për të ndërmarrë ndonjë masë tjetër përveç bisedimeve,në përpjekje për të ndaluar dhunën. Në përgjigje, ai nuk ka sqaruar se cilat mund të jenë hapat tjerë, por theksoi se Uashingtoni nuk dëshiron që të futen më shumë armatim i cili do të përdorej në konflikt, duke shtuar: “Rezultat i kësaj do të ishte agravimi i konfliktit dhe asgjë më shumë, që është vërtetë e frikshme. Gjërat do të mund të ktheheshin prej të keqes në një situate shumë më të keqe”.

Megjithatë, një zyrtar tjetër i administratës amerikane ka thënë se “opozita siriane ka të drejtë që të mbrojë veten”. Ky zyrtar, i cili ka kërkuar që të mbetet anonim, theksoi se “aleatët dhe partnerët” po marrin pjesë së bashku me SHBA-të në negociatat SHBA-Rusi për të gjetur një zgjedhje në lidhje me luftën.

Dhe shtoi: “Nuk besoj se ata do të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre akteve të tmerrshme që kemi parë gjatë 72 orëve të fundit” dhe theksoi se nuk do të komentojë për “mundësitë e caktuara që mund të përfshihen në luftë”.

Kritikët e politikës së presidentit amerikan Barack Obama besojnë se ngurrimi i Shtëpisë së Bardhë për të përdorur forcën ka penguar progresin e diplomacisë amerikane. Dy anëtarë të Senatit amerikan nga Partia Republikane, John McCain dhe Lindsey Graham, kanë thënë në një deklaratë se “diplomacia e cila nuk ka mjete të presionit është e gjykuar të dështojë”.

Ata shtojnë se “Putin dhe Assad nuk do të bëjnë atë që kërkohet, nga dëshira e tyre ose për shkak se ata kujdesen për interesat tona ose vuajtjet e të tjerëve. Ata të dy duhet detyruar , qoftë edhe me forcë. Lufta, terrori, refugjatët dhe jostabiliteti, gjitha këto do të vazhdojnë derisa SHBA-të të mos jenë të gatshëm që të ndërmarrin hapa për të ndryshuar gjendjen në terren në Siri”.

Drejtori i Zyrës së Human Rights Ëatch në Uashington, Sarah Morgan ka thënë se “SHBA-të po punojnë me Putinin si me një partner në paqe, në vend që ta trajtojnë si komplotist dhe autor të krimeve të luftës. Tani pyetja është se çfarë janë hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren nga SHBA-të me qëllim që ta detyrojnë Rusinë që të përmbahet nga dhuna e mëtejshme dhe ndihma e tij ofruar Asadit në kryerjen e akteve brutale?”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button